Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit kërkon miratimin urgjent të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026–2030. Platforma shpreh shqetësim serioz për zvarritjen e procedurës parlamentare për miratimin e Strategjisë, së bashku me Planin e Veprimit për zbatimin e saj. Pothuajse një vit pas përfundimit të Strategjisë së mëparshme për periudhën 2021–2025, Kuvendi ende nuk ka miratuar një dokument të ri strategjik për luftën kundër korrupsionit, transmeton Portalb.mk.
Kjo gjendje, thonë ata, cenon vazhdimësinë e politikave kombëtare kundër korrupsionit dhe dërgon një mesazh shqetësues për prioritetet e institucioneve në përballjen me korrupsionin.
“Veçanërisht shqetësues është fakti se zvarritja e miratimit të Strategjisë rrezikon drejtpërdrejt realizimin e masave të parapara për vitin 2026. Meqenëse viti është drejt fundit, zbatimi në kohë i këtyre aktiviteteve është praktikisht i pamundur, veçanërisht duke pasur parasysh kohën e nevojshme për planifikimin institucional, koordinimin dhe sigurimin e burimeve. Pasi një pjesë e konsiderueshme e vitit 2026 tashmë ka humbur, shteti nuk duhet të lejojë që vonesat e mëtejshme të rrezikojnë edhe vitin 2027. Çdo shtyrje e mëtejshme rrit rrezikun e vonesave në zbatimin e masave dhe mosrealizimin e objektivave të parapara strategjike”, thonë nga Platforma.
Kjo gjendje, shtojnë ata, është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur partnerët ndërkombëtarë, e para së gjithash Bashkimi Evropian, në raportet e tyre konstatojnë mungesë progresi në luftën kundër korrupsionit. Në këto rrethana, thuhet më tej, shtyrja e mëtejshme e miratimit të dokumentit kryesor strategjik kombëtar për parandalimin e korrupsionit përbën një sinjal serioz për përkushtimin e pamjaftueshëm institucional ndaj kësaj çështjeje.
“Kujtojmë se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) e miratoi Strategjinë Kombëtare më 19 qershor 2026 dhe po atë ditë ia dorëzoi Kuvendit. Pas më shumë se dy muajsh, më 23 shtator, dokumenti u shqyrtua nga komisionet përkatëse parlamentare, Komisioni për Çështje Ligjvënëse dhe Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive. Megjithatë, pothuajse pesë muaj pas dorëzimit dhe dy muaj pas shqyrtimit në komisione, Strategjia ende nuk është shqyrtuar në seancë plenare. Sipas informacioneve të publikuara në faqen zyrtare të Kuvendit, ajo është përcaktuar si pikë e rendit të ditës në seancën e 111-të plenare, me statusin “e pashqyrtuar”, ndërsa ende nuk është përfshirë në kalendarin parlamentar për muajin nëntor”, thuhet në reagim.
Platforma i bën thirrje Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që, pa vonesa të mëtejshme, ta shqyrtojë në seancë plenare dhe ta miratojë Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026–2030, së bashku me Planin e Veprimit.
“Përderisa dokumenti nuk miratohet, Kuvendi praktikisht po e bllokon fillimin e të gjithë procesit të zbatimit, duke shtyrë edhe përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga Strategjia dhe Plani i Veprimit për të gjitha institucionet kompetente, në të gjitha nivelet e pushtetit. Miratimi urgjent duhet të shoqërohet me planifikim institucional në kohë, sigurim të burimeve të nevojshme dhe ndërmarrje të aktiviteteve konkrete për zbatimin e masave të parapara”, thonë nga Platforma.
Ata nënvizojnë se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të mbetet vetëm një zotim deklarativ. Është e domosdoshme që Kuvendi të marrë përgjegjësinë e tij dhe t’u mundësojë institucioneve të fillojnë zbatimin e masave strategjike kundër korrupsionit pa humbur më tej kohë.
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2026 evidenton ngecje dhe mungesë progresi në disa fusha kyçe në Maqedoninë e Veriut. Në luftën kundër korrupsionit nuk është shënuar asnjë përparim, ndërsa korrupsioni mbetet i përhapur dhe shqetësim serioz.