Miliona më shumë se çmimi fillestar: Pse po shtrenjtohen projektet kineze në Ballkan?

Edhe 11 milionë euro shtesë do të investohen në ndërtimin e hidrocentraleve në Bistricë, në lindje të Bosnjë e Hercegovinës. Hidrocentralet do t’i ndërtojë kompania kineze China National Aero-Technology International Engineering Corporation (AVIC) nga viti 2021, ndërsa kompania “HE Bistrica“ u rikapitalizua nga kompania amë “HE na Drina“, e cila është në pronësi të entitetit Republika Srpska (RS) në Bosnjë e Hercegovinë. Vendimi për investime shtesë u miratua në kuvendin e aksionarëve të “HE na Drina“ në tetor, me çka çmimi i hidrocentralit u rrit nga 103 milionë eurot fillestare në mbi 170 milionë euro, transmeton Kolegium.

Ky është vetëm një nga projektet kineze në Ballkanin Perëndimor, çmimi i të cilave nga viti në vit rritet, shkruan servisi ballkanik i Radios Evropa e Lirë (REL) në analizën për çmimet më të larta nga ato të dakorduarat për projektet kineze në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni.

Nga organizata joqeveritare “Transparency International BeH“ deklaruan se vonesat në projekte, mungesa e transparencës, mbikëqyrja e dobët institucionale, e nganjëherë edhe gabimet në vetë projektet – pashmangshmërisht çojnë në rritjen e shumëfishtë të çmimeve të tyre, të cilat i paguajnë qytetarët.

Projektet në Bosnjë e Hercegovinë

Marrëveshjen për ndërtimin e hidrocentralit “Bistrica“ e nënshkruan kompania kineze AVIC dhe Qeveria e RS-së në dhjetor të vitit 2019. Ndërtimi i sistemit prej tre hidrocentralesh filloi në vitin 2021, me çmim prej 103 milionë eurosh.

Hidrocentrali u shoqërua me probleme të shumta gjatë ndërtimit, përfshirë edhe një rrëshqitje dheu në rrugën kryesore Sarajevë–Foça, gjë që shkaktoi ndërprerjen e punimeve.

Çmimi u rrit për pothuajse 70 milionë euro, ndërsa afati fillestar për përfundimin e tij, dhjetori i vitit 2026, sipas REL, do të shkelet.

Autostradën Banja Llukë – Prijedor e ndërton kompania kineze “China Shandong International Economic & Technical Cooperation Group“, e cila gjithashtu ishte e përfshirë në ndërtimin e rrugëve në Serbi.

Nga viti 2018 çmimi i projektit u rrit nga 297 milionë në 388 milionë euro, ndërsa datat e përfundimit vazhdimisht po shtyhen.

Kina e financon plotësisht këtë projekt dhe ka të drejtën për koncesion 30 vjeçar për taksën rrugore. Në rast se të ardhurat vjetore nga taksa rrugore janë më të ulëta se 32,5 milionë euro, diferenca do të kompensohet nga buxheti i entitetit.

Marrëveshja mes Qeverisë së RS-së dhe kompanisë kineze ishte sekrete që nga fillimi.

Pas një sërë padish autoritetet e publikuan marrëveshjen, por jo edhe detajet e saj financiare.

Spitali në Doboj u hap zyrtarisht kah fundi i vitit 2024, me vonesë prej rreth një viti.

Nga 53 milionë eurot fillestare nga buxheti i RS-së çmimi u rrit në më shumë se 60 milionë euro, kjo për shkak të shpenzimeve shtesë për pajisjen e spitalit, ndërsa kontraktori, “China Sinopharm International Corporation“,rritjen e përgjithshme të çmimit e arsyetoi me inflacionin e shkaktuar nga pandemia dhe lufta në Ukrainë.

Si është e përfshirë Kina në projekte?

Kina ndërton dhe financon projekte në Ballkanin Perëndimor duke përdorur tre modele të ndryshme, të cilat që të gjitha kanë një gjë të përbashkët, fshehtësinë e marrëveshjeve, përdorimin e pajisjeve kineze dhe shpeshherë edhe të fuqisë punëtore.

Njëri nga ato është modeli EPC (inxhinieri, prokurim dhe ndërtim), ose “me çelës në dorë“.

Kjo do të thotë se kompania publike vendase nënshkruan marrëveshje me konsorciumin kinez i cili e merr përgjegjësinë për dizajnimin, prokurimin e materialeve dhe kryerjen e punimeve. Në projekte të tilla kreditor shpesh është “Exim Bank“ kineze.

Modeli tjetër të cilin Kina e përdor shpesh në Ballkanin Perëndimor është ai me të cilin ajo e financon projektin, për të cilin klienti paguan kur të përfundojë, zakonisht nga të ardhurat prej shitjes së energjisë elektrike ose nga taksat rrugore.

Kjo u përshtatet ndërmarrjeve publike në BeH, të cilat shpeshherë nuk kanë kapital të mjaftueshëm për investime të mëdha, ndërsa kjo është problem për kompanitë kineze sepse ato zakonisht mbështeten nga kapitali shtetëror. Në praktikë, këto projekte janë dukshëm më të shtrenjta, sepse kontraktorët marrin përsipër rrezikun dhe detyrimet, nga gjetja e bankave deri te lëshimi i garancive, shkruan REL.

Modeli i koncesionit është modeli i tretë që e përdorin kompanitë kineze në Ballkanin Perëndimor, ndërsa deri më tani në BeH është zbatuar vetëm për projekte infrastrukturore.

Sipas tij, kompania kineze e themelon përfaqësinë e saj në Bosnjë e Hercegovinë, i investon paratë e veta ose mjete kreditore dhe ndërton një projekt – më saktësisht autostradën nga Banja Lluka në Prijedor – e më pas arkëton për përdorimin e saj për një periudhë të caktuar kohore.

Edhe pse në fillim duket se projekti nuk u kushton asgjë autoriteteve të RS-së, Qeveria është e detyruar t’i kompensojë paratë nëse taksat vjetore rrugore nuk e kalojnë pragun e dakorduar. Pas një periudhe të caktuar kohore objekti bëhet pronë publike.

Gjendja në rajon

Disa projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike në rajon të realizuara nga kompani kineze u shoqëruan me rritje të ndjeshme të shpenzimeve, vonesa shumëvjeçare ose kërkesa të njëpasnjëshme financiare.

REL si shembull e përmend ndërtimin e rrugës së shpejtë nga Pozharevci në Gollubac në lindje të Serbisë, e quajtur Korridori i Danubit. Për të çmimi i punimeve nga 337 milionë eurot fillestare u rrit në rreth 524 milionë euro.

Rritje e ndjeshme e vlerës është evidentuar në autostradën Kërçovë–Ohër në Maqedoninë e Veriut, të cilën e ndërton kompania kineze “Sinohydro“. Kur u nda kontrata vlera e projektit ishte 411 milionë euro, ndërsa çmimi i përgjithshëm në fund arriti përafërsisht 600 milionë euro.

Si shkaqe për këtë u përmendën kushtet e paparashikuara gjeologjike, shpronësimi shtesë i tokës, ndryshimet në projekt dhe nevoja për ndërtimin e infrastrukturës shoqëruese.

Model i ngjashëm është edhe ai në projektin për rikonstruksionin e termocentralit “Pljevlja” në Mal të Zi, të cilin e realizon konsorcium i udhëhequr nga kompania kineze “Dongfang Electric International“.

Aksi i autostradës nga Smokovci pranë Podgoricës deri në Mateshevë në veri të vendit, të cilin e ndërtoi kompania kineze CRBC, kushtoi 809 milionë euro sipas marrëveshjes së vitit 2014.

Qeveria malazeze u desh të merrte hua edhe 90 milionë euro të tjera për shpenzime shtesë. Autostrada u lëshua në përdorim tetë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Analizën e plotë mund ta lexoni këtu.

Ballkani PerëndimorInvestime në Maqedoninë e VeriutKina