Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e shtetit janë regjistruar gjithsej 29 zjarre në hapësira të hapura, nga të cilat tre janë aktive, një është vënë nën kontroll, ndërsa 25 janë shuar plotësisht, njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.
Aktive janë zjarret në territorin e komunave Studeniçan dhe Zelenikovë, në zonën nga fshatrat Morane, Vërtekicë dhe Ramni Gaber dhe degëzimi drejt Paligradit, si dhe mbi fshatin Vrazhalle, ku digjet pyll i përzier.
Zjarr aktiv ka edhe në fshatin Trnovë të Gostivarit, ku është përfshirë pyll i përzier, si dhe mbi fshatin Nezhillovë në Komunën e Çashkës, ku digjet pyll me bredha.
Nën kontroll është vënë zjarri pranë fshatit Tajmishte të Kërçovës, në vendin e quajtur Darda, ku kishte marrë flakë pyll i lartë ahu.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar 25 zjarre në disa lokacione në të gjithë vendin, ndër të tjera në Strumicë, Vasilevë, Dellçevë, Kumanovë, Jegunovcë, Gostivar, Vrapçisht, Demir Hisar, Probishtip, Ilinden, Saraj, Çair, Studeniçan, Haraçinë, Makedonski Brod, Novaci, Petrovec, Berovë, Karbinc dhe Çeshinovë-Obleshevë.
Sipas QMK-së, në zjarre janë përfshirë vegjetacion i ulët, kallamishte/fusha të korrura, bar i thatë, shkurre dhe sipërfaqe pyjore. Në disa vende kanë marrë flakë edhe mbeturina, kashtë dhe objekte, ndërsa është regjistruar edhe një rast ku është përfshirë në zjarr një fole lejlekësh.
Kujtojmë se Qeveria ka shpallur gjendje të krizës në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në fund të gushtit për shkak të rritjes së rreziqeve dhe kërcënimeve nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore. Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik (IShP) u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa për mbrojtje nga vala e të nxehtit.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut, viteve të kaluara është përballur me shumë zjarre. Gjatë muajit gusht dhe shtator të vitit të kaluar u raportuan një sërë zjarresh.
- LEXO: QMK: Po vazhdon të jetë aktiv zjarri afër fshatit Cerovë – aktiv janë edhe tetë zjarre, dy janë nën kontroll, kurse 16 janë shuajtur
- LEXO: Zjarre në tetë komuna në vend, mëngjesin e sotëm u shmang katastrofa afër Prilepit
- LEXO: Qeveria e RMV-së solli vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në të gjithë territorin e vendit për shkak të rrezikut nga zjarret