QMK: Po vazhdon të jetë aktiv zjarri afër fshatit Cerovë – aktiv janë edhe tetë zjarre, dy janë nën kontroll, kurse 16 janë shuajtur

Gjatë 24 orëve të fundit, deri në orën 7:30 të mëngjesit të sotëm, në vend janë regjistruar gjithsej 27 zjarre, prej të cilëve tetë janë ende aktiv, dy janë vënë nën kontroll, ndërsa 16 janë shuajtur plotësisht, informoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK), njofton Portalb.mk.

Sipas informacioneve, ende janë aktiv zjarret në territorin e Komunës së Studeniçanit në rrethinën mes fshatrave Moranë, Vërtekicë dhe Ramni Gaber, ku po digjet pyll i përzier; më pas afër vendit të quajtur Vidush dhe fshatrave Dragov Doll e Llokvicë në Komunën e Makedonski Brodit, ku është përfshirë vegjetacion i ulët dhe shkurre, si dhe pylli me dushqe  afër vendit Darda, në territorin e fshatit Tajmishte në Komunën e Kërçovës.

Aktive janë edhe vatrat e zjarrit në Komunën e Likovës afër fshatit Nikushtak, në Komunën e Krushevës afër fshatit Belushino i cili është riaktivizuar me një krah drejt fshatit Jakrenevo, pastaj afër fshatit Lomnicë në Komunën e Vrapçishtit, afër fshatit Brodec në territorin e Komunës së Tetovës, në fshatin Bonçe të Prilepit, si dhe zjarri afër fshatit Cerovë në Komunën e Zhelinës, ku po digjet vegjetacion i ulët dhe fier.

Ekipet e Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit (NJTKZ) Tetovë, në koordinim me Qendrën për Menaxhim me Kriza (QMK), dje kanë punuar intensivisht në lokalizimin dhe vënien nën kontroll të zjarrit rreth Cerovës. Nga QMK mbrëmë njoftuan se ekipet e zjarrfikësve po veprojnë me kapacitet maksimal për të parandaluar përhapjen e zjarrit në sipërfaqe më të mëdha.

Siç informuan nga QMK në raportin e mëngjesit, nën kontroll është zjarri në deponinë në Dellçevë, si dhe vatra e zjarrit në territorin e fshatit Çanishte të Prilepit, krahët e të cilit lëviznin drejt fshatrave Krushevicë, Llopaticë, Dunjë dhe drejt Cërna Rekës.

Sipas QMK-së, gjatë 24 orëve të fundit janë shuajtur zjarret e regjistruara në komunat Gostivar, Mogillë, Kavadar, Resnjë, Vallandovë, Kërçovë, Kumanovë, Prilep, Tetovë, Mavrovë dhe Rostushë, Sveti Nikollë dhe në territorin e Komunës së Ohrit.

Në  disa lokacione në këto komuna, sipas QMK-së, është djegur vegjetacion i ulët, mbeturina dhe deponi.

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMVZjarr