Restaurimet e objekteve të vjetra në Tetovë po ngjallin shqetësime lidhur me mënyrën se si po realizohen, pasi ndërhyrjet aktuale mund të ndikojnë në pamjen dhe karakterin historik të qytetit. Shqetësim të tillë nga ngritur edhe organizata HUTA, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk japin përgjigje për kritikat, shkruan Portalb.mk.
Kryetari i HUTA-s, Roni Kadriu shprehu shqetësim të thellë për mënyrën joprofesionale se si Komuna e Tetovës dhe Ministria e Kulturës po i trajtojnë objektet në qytet.
Ai theksoi se edhe dy objektet e vjetra te Gjimnazi i Tetovës që po restaurohen po bëhen në formën joadekuate.
“Ndërtimi është duke u mbuluar me stiropol, nuk është bërë ndonjë plan adekuat për restaurimin e të njëjtës, kemi fasadë të betonizuar dhe plastifikuar në vend të restaurimeve me metoda tradicionale, kjo nuk është restaurim por shkatërrim i trashëgimisë kulturore”, tha Kadriu.
Një nga të punësuarit e kompanisë që realizon punimet, edhe pse nuk deshi të flasë para kamerës, na tha se fasada nga jashtë do të bëhet siç ka qenë dhe se do të ruhet pamja e vjetër.
Nga HUTA apelojnë që institucionet si Komuna e Tetovës, Ministria e Kulturës dhe Qendra për Konservim të marrin masa urgjente për të ndaluar shkatërrimin e trashëgimisë kulturore.
“Kërkojmë që të bëjnë restaurim adekuat dhe trashëgimia kulturore e Tetovës të ketë pamjen si që ka pasur ndër shekuj”, tha Kadriu.
Por, nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Tetovës nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.
Kujtojmë se në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, në pjesën e kulturës përmenden investime dhe rikonstruime për Kalanë e Tetovës, Teqenë Arabati Baba, Ura e Kazazëve, por asnjëra nga këto nuk është realizuar në terren.