Sonte, më 3 nëntor, në hapësirat e Institucionit Nacional “Galeria e Arteve në Tetovë”, me fillim nga ora 19:00, do të hapet ekspozita personale e artistes Arbina Emini, e titulluar “Traditë në telajo”. Ekspozita sjell një përzgjedhje veprash që ndërthurin elementet e trashëgimisë kulturore shqiptare me shprehjen moderne artistike, duke e bërë traditën pjesë të një rrëfimi të ri vizual, shkruan Portalb.mk.
Përmes ngjyrave, motiveve dhe teknikave të saj të veçanta, Arbina Emini i jep jetë motiveve tradicionale që nga ornamentet e veshjeve popullore e deri te simbolet e artit dekorativ duke i rikontekstualizuar në një formë bashkëkohore. Kjo ekspozitë është një reflektim mbi rrënjët kulturore, kujtesën kolektive dhe mënyrën se si arti mund të jetë ura lidhëse mes brezave.
Arbina Emini për Portalb.mk tha se tradita është përfaqësuesja më e denjë e artit, sepse në të jetojnë estetika, harmonia dhe shpirti ynë. Me ‘Traditë në telajo’ dëshiron ta rikthejë këtë frymë në një gjuhë bashkëkohore, që të ndihet e gjallë dhe e afërt në shpirtin e sotëm.
“Ideja ka lindur nga një ndjenjë e thellë dashurie që unë ndjej për traditën tonë, në qoftë se arti lidhet me estetikën, harmoninë, ndjenjën dhe shpirtin atëherë tradita është përfaqsuesi më i denjë i tij. Titulli “Traditë në telajo” erdhi si një nevojë për ta rikthyer këtë frymë në një gjuhë bashkëkohore, për ta bërë të ndjehet e gjallë dhe e afërt në shpirtin e sotëm. Motivet kryesore lidhen me elementet e trashëgimisë sonë kombëtare, siç janë veshjet, ngjyrat e pasura, ornamentet, aksesorët dhe simbolet ku nëpërmjet tyre jam munduar të përcjell intensitetin e lëvizjeve, ritmin dhe shpirtin që mbart secila valle krahinore Shqipëtare, si një nga shprehjet më të pastra të identitetit tonë kolektiv. Përgatitja për këtë ekspozitë ka qenë një proces i gjatë dhe intensiv, i cili ka zgjatur për disa muaj. Në total janë reth 25 piktura ku secila mbart emocionin e vet edhe pse i përkasin një linje të përbashkët”, tha Emini.
Ajo shtoi se kjo ekspozitë vjen si një përpjekje për ta “rikthyer” traditën në artin bashkëkohor.
“Absolutisht që po. Është mënyra më e denjë për të treguar se arti bashkëkohor mund të bashkëjetojë bukur e mirë me rrënjët. Kam dashur ta ringjall traditën në një formë të re, ku ngjyra dhe ndjesia moderne bashkohen me motivet e lashta. Titulli e tregon më së miri këtë përpjekje traditë e kaluara dhe telajo e e sotmja. Arti ka fuqinë të bashkojë atë që koha arin ta ndajë. Nëse dikush shef ne pikturë një copë tradite dhe e ndjen të afërt, atëherë për mua qëllimi është arritur. Kjo është ura që dua të ndërtoj, në mënyrë që tradita mos ngeli pas por të eci bashkë me ne”, tha Emini.
Emini potencoi se ka vepra që i ndjenë më afër shpirtërisht dhe atë frymëzon gjithçka që lidhet me gjurmët dhe duart e arta të gjyshërve tanë.
“Po, ka. Edhe pse secila vepër është unike unë do veçoja dy: E para me titullin “Shpirti i kostumit” ku paraqitet valltari me lëvizje te forta dhe të shpejta dhe valltarja me lëvizje të rrjedhshme dhe elegante, simbol dhe karakteristikë tipike për vallet Shqiptare duke paraqitur harmoni vizuale dhe emocionale. Kurse e dyta “Simfoni etnike” ku paraqiten valltarët duke vallëzuar në një rreth të përbashkët, simbol i një uniteti, bashkësie dhe lidhje mes njerëzve. Një nga karakteristikat më të vyera që ruajmë edhe sot. Mua më frymëzon gjithçka që lidhet me gjurmët dhe duart e arta të gjyshërve tanë. Veshjet, ornamentet, qëndisjet në rroba, simbolikat gjithçka është aq unike çdo punim është poezi në vete. Gjithashtu më frymëzon fakti që mund të dalë në pah një punë dore mbresëlënëse, vetëm dukë dhënë shpirtin brenda”, tha Emini.
Ajo shtoi se arti modern është i lirë, por nëse humbet lidhjet me rrënjët, bëhet i ftohtë.
“Për mua në një lloj forme është një rebelim i butë, sepse si individ nuk jam e prirur të ndjek trendet e momentit. Më pëlqen të krijoj diçka që mbetet. Arti modern është i lirë por nëse humbet lidhjet me rrënjët bëhet i ftohtë. Kthimi te tradita është si një mënyrë për ti dhënë shpirt modernes. Arti është mënyra më e mirë për të ruajtur identitetin, e thënë ndryshe është dokumenti më i ndjeshëm i një kombi. Arti mbart në vetvete atë që shpesh fjalët nuk mund ta thonë: ndjenjën, kujtesën, frymën. Prandaj çdo pikturë është një mënyrë për të ruajtur kujtesën tonë kulturore dhe vizuale”, tha Emini.