Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, së bashku me kryetarin e Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacion, Goran Angelovski, në pikën kufitare Tabanoc, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Agjencisë për Siguri në Komunikacion të Serbisë, Branko Stamatoviq, shënuan zyrtarisht fillimin e aksionit të parë të përbashkët parandalues “Vozisni të pushuar”, transmeton Portalb.mk.
Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin e shoferëve për rreziqet që sjell lodhja gjatë drejtimit të automjetit, veçanërisht në kulmin e sezonit veror turistik, kur rritet ndjeshëm fluksi i automjeteve në Korridorin 10, nga pika kufitare Tabanoc deri te pika kufitare Bogorodicë.
Në fjalën e tij, ministri Toshkovski theksoi se kjo fushatë dhe aktivitetet e përbashkëta parandaluese janë edhe një dëshmi e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy shteteve fqinje dhe mike.
“Së bashku me kolegët tanë nga Serbia dërgojmë një mesazh të fuqishëm se parandalimi është mënyra më e mirë për mbrojtjen e jetës së njerëzve. Shoferët që në këto ditë të nxehta nisen për udhëtime të gjata duhet të jenë të pushuar, ndërsa gjatë udhëtimit të bëjnë pushim çdo dy deri në tre orë për të paktën 15 minuta. Gjatë rrugës duhet të konsumojnë mjaftueshëm ujë, të respektojnë rregullat e komunikacionit, veçanërisht kufizimet e shpejtësisë. Numri më i madh i aksidenteve ndodh për shkak të lodhjes së madhe të shoferëve ose për shkak të shpejtësisë së tepërt. Për këtë arsye, konsideroj se kjo është një fushatë kyçe, sepse jeta e njeriut nuk ka çmim. Nëse arrijmë të shpëtojmë qoftë edhe një jetë, ky do të jetë bekim për të gjithë ne”, deklaroi Toshkovski.
Ai kujtoi se me zbatimin e sistemit “One Stop” me Serbinë, pritjet në pikën kufitare Tabanoc janë ulur nga disa orë në maksimumi gjysmë ore, edhe pse frekuenca e udhëtarëve është rritur me 15 deri në 20 përqind.
Toshkovski u bëri apel të gjithë atyre që kalojnë tranzit nëpër Korridorin 8 dhe Korridorin 10 në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se kamerat e projektit “Qyteti i Sigurt” funksionojnë, regjistrojnë dhe evidentojnë shkeljet në komunikacion.
“Çdo shkelje e komunikacionit e kryer që nga 1 shkurti 2026, kur sistemi u vu në funksion, do t’i dërgohet çdo personi që ka kryer shkeljen, pavarësisht nëse automjeti ka targa maqedonase apo të huaja. Së shpejti do të shihni zbatimin konkret të fazës së dytë, e cila ka të bëjë me dorëzimin e gjobave për drejtuesit e automjeteve me targa të huaja, dhe kjo do të nisë pikërisht nga ky vendkalim kufitar”, tha Toshkovski.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, theksoi rëndësinë e kësaj nisme të përbashkët, duke e vlerësuar atë si shembull të bashkëpunimit të suksesshëm rajonal në interes të sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Ai nënvizoi edhe një herë bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy ministrive dhe dy policive në të gjitha fushat e sigurisë.
“Prioriteti ynë është të shpëtohet çdo jetë njerëzore, veçanërisht jeta e më të rinjve. Prandaj u bëjmë thirrje të gjithë shoferëve të udhëtojnë të pushuar dhe me përgjegjësi, sidomos drejt destinacioneve të gjata verore”, porositi Daçiq, duke shtuar se bashkëpunimi me policinë e Maqedonisë në realizimin e këtij aksioni parandalues ka rëndësi të veçantë në periudhën kur mijëra turistë kalojnë tranzit nëpër të dyja shtetet.
Në kuadër të fushatës, shoferëve që kalonin nëpër pikën kufitare Tabanoc u shpërndanë shishe me ujë, fletëpalosje edukative me këshilla për drejtim të sigurt dhe materiale promovuese me rekomandime për parandalimin e aksidenteve të shkaktuara nga lodhja.
Ky aktivitet parandalues është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të dy ministrive dhe institucioneve përgjegjëse për sigurinë në komunikacion për uljen e numrit të aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion gjatë sezonit veror.