Tornadot goditën SHBA-në, shkaktojnë dëme të mëdha

Dhjetëra tornado e kanë goditur pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) të premten mbrëma, duke dëmtuar shtëpi dhe ndërtesa, si dhe duke lënduar disa njerëz, njoftuan autoritetet, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Më shumë se 70 tornado u regjistruan në gjithë vendin nga Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së, shumica e të cilave përreth Omahas në Nebraska.

Deri të premten mbrëma u raportua për disa të lënduar, por jo për të vdekur.

Tre persona u lënduan në kontin Lancaster në Nebraska, kur një tornado e goditi një ndërtesë industriale, duke e shembur kulmin e saj kur 70 njerëz ndodheshin brenda saj. Disa prej tyre kishin ngecur, por në fund të gjithë u evakuuan dhe të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë, thanë autoritetet.

Një shtëpi e dëmtuar nga tornado në Benington, Nebraska, SHBA, të premten më 26 prill 2024.
Një shtëpi e dëmtuar nga tornado në Benington, Nebraska, SHBA, të premten më 26 prill 2024.
“Ekipet e emergjencës janë duke i kontrolluar shtëpitë e dëmtuara dhe po ndihmojnë me qytetarët e lënduar”, tha Policia e Omahas në rrjetin social X.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale e shfaqën qytetin e vogël Minden, në Ajova, të dëmtuar rëndë nga tornadot.

Rreth 11.000 shtëpi mbetën pa rrymë në Nebraska, sipas autoriteteve.

Shërbimi Kombëtar i Motit bëri shumë paralajmërime për tornado në disa shtete të Amerikës të premten, duke i paralajmëruar ato se stuhitë e fuqishme do të vazhdonin edhe të shtunën.

Tornadot janë të zakonshme në Shtetet e Bashkuara, posaçërisht në pjesët qendrore dhe jugore të vendit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)Tornado - Uragan Cunami Ciklon