Pas përplasjeve me policinë në Kosovë, protestuesit pritet të mblidhen sërish sot në mëngjes

Protestues të shumtë mbrëmë u mblodhën përreth institucioneve të vendit, Kuvendit dhe Qeverisë, për të kërkuar kalimin e ndryshimeve të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në opozitë, për ligjin për Specialen, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ndryshimet kaluan në lexim të parë qysh paradite, por nevojitet miratimi i tyre edhe në lexim të dytë për të pasur efekt.

Megjithatë, mospajtimet mes partisë në pushtet të kryeministrit Albin Kuti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe PDK-së, bënë që gjendja të ndryshonte dhe ndryshimet të mos hidheshin fare në votim, duke zemëruar protestuesit e mbledhur jashtë Kuvendit.

Protestuesit nuk e lejuan një deputetë të largohej nga Kuvendi pasi e kthyen brenda oborrit të tij duke e bartur pezull me forcë.

Ndërkohë, Kurti tha se ndryshimet ishin “të ngutshme” por partia e tij do t’i votonte në parim dhe pastaj kërkoi takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, duke thënë se, para se ato të hidheshin për votim në lexim të dytë, të zgjidhej presidenti i ri i Kosovës, duke ditur se afati kushtetues për këtë mbaron në ditën pasuese, pra sot më 6 tetor.

Derisa Kuvendi i vazhdoi deri në mbrëmje punimet me kalimin e projektligjeve të ndryshme në agjendë, protestuesit vazhdimisht bënin thirrje për kalimin e ndryshimeve në ligjin për Speciale, madje, duke paralajmëruar se nuk do t’i lejonin deputetët të dilnin nga Kuvendi, pa i miratuar ato.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e hodhi poshtë kërkesën e PDK-së që votimi në lexim të dytë të ndodhte në orën 17:30, duke thënë se më e rëndësishme është zgjedhja e presidentit të vendit.

Pas kësaj pasoi takimi gati dyorësh mes Kurtit dhe Hamzës, i cili nuk dha fryt.

Si rrjedhojë, deputetët e LVV-së u larguan nga ndërtesa e Kuvendit në mbrëmje, duke nxitur zemërim mes protestuesish dhe shtim të forcave policore, përfshire njësite kundër trazirave.

Protestuesit filluan të hedhin mjete piroteknike dhe shishe qelqi në drejtim të Kuvendit dhe policisë, si dhe bllokuan rrugë përreth Kuvendin duke vendosur pengesa, si: kontejnerë të ndezur në zjarr.

Në orët e natës pati përleshje të kohëpaskohshme mes policisë dhe protestuesve, derisa policia ia arriti t’i zmbrapsë nga sheshi pranë institucioneve, “Skënderbeu”, duke përdorur vazhdimisht gaz lotsjellës, si dhe topa uji.

Policia i përzuri ata deri tek sheshi i fundit në bërthamën e katër shesheve qendrore të Prishtinës, “Zahir Pajaziti”, dhe më pas bllokoi hyrjet në sheshin pranë Kuvendit.

Këto përplasje dhe tensione përfunduan me 17 të lënduar, prej tyre 11 protestues dhe 6 policë, si dhe tre protestues të arrestuar. Që të gjithë të lënduarit u mjekuan për lëndime të lehta dhe u liruan më pas.

Ndërkohë, më vonë, deputetë të PDK-së dhe Aleancës, të cilët kishin qëndruar në Kuvend dhe i kishin bërë thirrje atyre në pushtet të ktheheshin për t’i votuar ndryshimet, dolën në shesh dhe iu bashkuan protestës.

Pasi deputetët biseduan me policinë, gjendja u qetësua dhe policia lejoi kthimin e tyre në sheshin “Skënderbeu”, ku ata qëndruan për rreth një orë dhe më pas u shpërndanë të qetë.

Organizata e Veteranëve të Luftës njoftoi në Facebook se protesta do të vazhdojë në orën 9:00 mëngjesin pasues, kur edhe pritet të ketë seancë të re, në ditën e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Nëse Kuvendi nuk e zgjedh presidentin e ri deri në mesnatë, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje automatikisht. Ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare në dy vjet.

Gjykata Speciale - HagëKosovaProtesta