Pavarësisht reagimeve të vazhdueshme të opinionit publik dhe organizatave që monitorojnë gjuhën e urrejtjes, sloganet dhe brohoritjet që nxisin urrejtje vazhdojnë të dominojnë sferën publike në Maqedoninë e Veriut. Së fundmi disa mesazhe që nxisin gjuhë të urrejtes si “Kosova është Serbi”, janë shfaqur në një fshat të Kumanovës, shkruan Portalb.mk.
Të rinj nga Komuna e Likovës kanë larguar grafitet me mbishkrimin “Kosovo je Srbija” të vendosura në një mur përgjatë rrugës të njohur si “Udha e vjetër”, që kalon përmes fshatit Umindoll në drejtim të Shkupit.
Siç ka njoftuar Deniz Sulimani, grafitet ndodheshin në një nga rrugët më të frekuentuara nga banorët e Likovës, Haraçinës dhe qytetarët që udhëtojnë drejt Kumanovës.
“Vendosëm të mos reagojmë ndaj personave që i kishin shkruar grafitet, por t’i largonim vetëm mbishkrimet, me qëllim që hapësira publike të mos përdoret për përhapjen e mesazheve që nxisin përçarje. Ne nuk do të lejojmë që muret dhe rrugët tona të shndërrohen në hapësira propagande për ide që synojnë të krijojnë ndasi. Provokimi nuk është forcë, ndërsa urrejtja nuk është patriotizëm”, ka shkruar Sulimani.
Ai ka shtuar se nuk do t’u përgjigjen provokimeve me kartën e njëjtë, por me veprime konkrete, duke theksuar se do të vazhdojnë të largojnë përmbajtje që nxit përçarje dhe gjuhë të urrejtjes.
Në fund, Sulejmani u bëri thirrje qytetarëve për respekt të ndërsjellë dhe refuzim të gjuhës së urrejtjes, provokimeve dhe përçarjes.
Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB-së, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskpertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë. Raste të tilla vazhdojnë të hedhin hije mbi frymën sportive dhe bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
- LEXO: Për pesë muaj, shtatë kallëzime penale për nxitje të urrejtjes në RMV
- LEXO: Sporti bashkon, urrejtja përçan: Është koha të bëjmë tifozeri pa gjuhë të urrejtjes, racizëm dhe provokime nacionaliste
- LEXO: ‘Vdekje për shqiptarët’: Gjuha e urrejtjes godet Tearcën, mbishkrim nacionalist në stadium (Video)
Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.