Nën moton “Të lexosh do të thotë: të jetosh, të zbulosh, të rritesh,” nga e mërkura deri të dielën (13 – 17 nëntor 2024) në Pallatin e Kongreseve, hap siparin edicioni i 27-të i Panairit të Librit në Tiranë. Pjesë të këtij edicioni do të jenë edhe shtëpitë botuese nga Maqedonia e Veriut, “Logos A” dhe “Furkan ISM”, njofton Portalb.mk.
Ky panair do të shndërrojë Tiranën në një qendër të fuqishme të kulturës, duke bashkuar lexuesit, botuesit, autorët dhe përkthyesit për të festuar fuqinë e librit dhe ndikimin e tij në jetën e përditshme.
Muhamet Jashari nga Shtëpia Botuese “Logos A” për Portalb.mk tha se për këtë panair kanë përgaditur mbi 40 tituj të rinj. Por, ajo çfarë e bën të veçantë pjesëmarrjen e tyre në këtë panair është ribotimi i veprës së Sami Frashërit në shtatë vëllime.
“Ne marrim pjesë gjithandej që ka panaire apo festivale të librit, qoftë në Maqedoninë e Veriut apo në Kosovë e Shqipëri. Panairi i Tiranës është një panair i cili afër vetes tubon botues dhe shkrimtarë të ndryshëm. Sa i takon pjesëmarrjes sonë këtë vit, synojmë që në kuadër të këtij panairi të sjellim dhe dhjetra tituj të rinj. Vetëm këtë vit lexuesit i ofrojmë 40 tituj të rinj”, tha Jashari.
Muhamet Murtezani nga Shtëpia Botuese “Furkan ISM” për Portalb.mk tha se në panair do të paraqiten me mbi 100 tituj të rinj.
“Shtëpia Botuese “Furkan ISM” do të marrë pjesë me botimet e veta në këtë panair, sigurisht do ti kemi aty më shumë se 100 tituj. Që nga panairi i viti të kaluar janë diku 20 tituj të rinj, vepra të cilat për herë të parë do të paraqiten në Panairin e Librit në Tiranë”. Disa nga titujt e ri janë “Shëndeti mendor nga jetëshkrimi i Profetit”, “Menaxhimi i emocioneve”, “Ndërmjet dyshimit dhe ndryshimit”, “Bijtë e mi” – Porosi të rinjve për konceptet e besimit dhe për përvojat e jetës, “Qëndrime në kohë” dhe “110 vjet pa Shqipërinë”, tha Murtezani.
Në kuadër të Panairit të Librit në Tiranë do të jepen dhe çmime që vlerësojnë arritjet më të shquara në fushat e letërsisë dhe përkthimit. Juria për këtë vit përbëhet nga emra të njohur të kulturës shqiptare: Anisa Ymeri, gazetare e kulturës. Ben Andoni, përkthyes dhe publicist, Ilir Baçi, përkthyes dhe kryetar i jurisë, Ledia Dushi, poete dhe përkthyese dhe Lili Sula, studiuese e letërsisë dhe pedagoge. Kjo juri do të shpallë fituesit në katër kategori të veçanta: Autori i librit më të mirë të vitit, Përkthyesi më i mirë i vitit, Autori i librit më të mirë studimor, dhe Autori i librit më të mirë për fëmijë. Fituesit do të zgjidhen ndër autorët dhe përkthyesit që kanë botuar gjatë periudhës dhjetor 2023 – nëntor 2024.
Panairi i Librit në Tiranë 2024 është thirrje për të gjithë ata që duan të jetojnë përmes librit, të zgjerojnë kulturën e tyre dhe të rriten përmes dijes.
Gjatë kësaj periudhe pesë-ditore të panairit, të apasionuarit e librit do të kenë mundësi të marrin pjesë në një sërë aktivitetesh, duke përfshirë dhe takimet me autorë, në diskutime të pasura dhe promovime të botimeve më të reja. Panairi paraqet mundësi të shkëlqyer për lexuesit të zhyten në universin e librave dhe për të ndarë mendime dhe përvoja me të tjerë që kanë pasion për leximin dhe dijen.