Profesoresha e gjuhës angleze, Hyreme Gurra, ka shënuar 70-vjetorin e lindjes me promovimin e gjashtë librave, në një ngjarje kulturore që vuri në qendër krijimtarinë e saj letrare, rrugëtimin profesional dhe kontributin shumëvjeçar në arsim, kulturë dhe jetën intelektuale shqiptare, shkruan Portalb.mk.
Nga gjashtë librat e promovuar, katër mbajnë autorësinë e Hyreme Gurrës, një është realizuar në bashkautorësi me Daut Gurrën, ndërsa një tjetër është vepër e këtij të fundit. Mes titujve të prezantuar ishin “Këngë Lirike-Këngë Dashurie, të Kurbetit dhe Ushtarëve”, “Perla të Rralla” e Hyreme Gurrës dhe “Kohë e Këputur” e Daut Gurrës.
Botimet sjellin në vëmendje tema që lidhen me krijimtarinë letrare, kujtesën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Veçanërisht këngët lirike, ato të dashurisë, kurbetit dhe ushtarëve, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të traditës popullore, përmes së cilës janë përcjellë ndër breza ndjenjat, përjetimet dhe historia e shqiptarëve.
Promovimi i këtyre veprave nuk ishte vetëm një ngjarje botuese, por edhe mundësi për të rikujtuar angazhimin e gjatë të profesoreshës Gurra në fusha të ndryshme të jetës publike. Si arsimtare dhe intelektuale, ajo ka kontribuar në edukimin e brezave, ndërsa veprimtaria e saj është shtrirë edhe në sferën shoqërore, kulturore, politike dhe diplomatike.
Kjo ngjarje shërbeu njëkohësisht për të vënë në pah rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj.