Të hënën dhe të martën në Shkup do të realizohet spërkatje kundër mushkonjave, si pjesë e aktiviteteve të rregullta për dezinsektim në territorin e qytetit. Aksioni është paralajmëruar në një periudhë kur, për shkak të motit më të ngrohtë dhe lagështisë së rritur, krijohen kushte për praninë më të madhe të mushkonjave në hapësirat urbane dhe të gjelbra, transmeton Portalb.mk.
Qytetarët janë njoftuar se trajtimi do të kryhet sipas terminit të parashikuar, ndërsa nëse kushtet atmosferike nuk lejojnë realizim të sigurt, spërkatja do të shtyhet për ditën e parë të ardhshme me kushte të përshtatshme. Njoftim i veçantë u drejtohet bletarëve që të marrin masa për mbrojtjen e bletëve, për shkak të rrezikut të mundshëm gjatë dezinsektimit.
Dezinsektimi në Shkup kryhet në disa faza gjatë sezonit, përmes trajtimeve kundër larvave dhe formave të rritura të mushkonjave, me qëllim uljen e tyre në periudha me temperatura të larta dhe kushte të favorshme për shumim.