Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 17 zjarre në hapsira të hapura, prej të cilëve një është vënë nën kontroll, ndërsa 16 janë shuar plotësisht, transmeton Portalb.mk.
Sipas informatave të Qendrës për Menaxhim me Kriza, nën kontroll është zjarri në Komunën e Makedonski Brodit, në territorin e fshatit Belicë, ku janë përfshirë pyje me pisha dhe bimësi e ulët.
Nga Qendra për Menaxhimin e Krizave bëjnë të ditur se situata me zjarret po monitorohet vazhdimisht dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë qëndrimit në ambiente të hapura, me qëllim parandalimin e shpërthimit të zjarreve të reja.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, viteve të kaluara është përballur me shumë zjarre. Gjatë muajit gusht dhe shtator të vitit të kaluar u raportuan një sërë zjarresh nëpër deponi, si në Drislla, ajo pranë fshatit Kuklish në komunën e Strumicës, deponia Dellçevë, deponia e qytetit në Komunën e Krushevës, si dhe deponia Vardarishtë në Komunën Gazi Babë. E gjithë kjo kulmoi me zjarrin në Trubarevë.