‘Të etur për vese’ ose vetëpërbuzje identitare (II)

Qarkut laiko-pellazg askush nuk u përzihet në etimologjinë e emër-mbiemrave të tyre, por përkundër kësaj këta njerëz kanë problem me prapashtesat e homonimeve të të tjerëve, në veçanti ndaj atyre që përfundojnë me “ogllu”, të cilin e gjejmë edhe ndër shqiptarë, Begolli, Qerolli, Pacolli, Humolli, Kadrolli (Caka&Caka, 2016: 311) etj.  Atakojnë emrin Hanëmshahe që sipas aks.rks-gov.net në Kosovë e mbajnë 30 femra. Si ka mundësi që tridhjetë shpirtra të trazohen vetëm pse mbajnë një emër të caktuar? Në rrjetet sociale reagoi një person që u ndje i prekur nga fyerja e emrit të nënës së tij të ndjerë që kishte mbajtur pikërisht këtë emër. Emrat Amarildo, Vojsava, Noah, Vladimir, Noel, Luis, Xhoel, Kaona, Gerti, Antonela e të ngjashëm s’paraqesin kurrfarë problemi, kurse emrat me gjenezë arabo-turke janë problematikë. Ç’të themi për faktin se sipas Zyës Federale për Statistikë (BFS) në vitin 2020 te shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Zvicër emri më i popullarizuar femëror ka qenë Fatime? Anakronizëm apo jo?

Këta shkollarë stratifikimin e vlerave me gjasë e bëjnë në bazë të formës jo të substancës. Vetëperceptimi i këtyre njerëzve niset nga parashtresa “sa më larg elementeve tona që kanë ngjyrime lindore aq më mirë, aq më perëndimorë.” Të njëjtit mund të ndodhë që para njëzet minutash të kenë ngrënë qebapë e bakllava, të kenë kaluar pranë shamisë, pardesysë myslimane, xhamisë, e megjithatë bëhen sikur s’kanë haber nga kodi i vet kulturor që ngërthen edhe elemente orientale. Janë rritur në mëhallat e kryeqytetit të dikurshëm të Vilajetit ndërsa tregtojnë vlera të Shanzelizesë me të cilat identifikohen vetëm përmes birrës mbi tavolinë dhe brendeve që i bartin në trup. E kësaj fryme ishte edhe fshirja e xhamisë së Et’hem Beut në posterin e aktivitetit “Moving City” organizuar në Tiranë nga kompania zvicerane Nordrstern, pra një kryeqytet me elemente italiane, komuniste, hipermoderne por pa shpirtin e vet. Reduksionizëm tendencioz edhe përkundër arsyetimit se xhamia s’qenka vënë për shkak të alkoolit që do konsumoheshka gjatë koncerteve muzikore.

Për t’u habitur se qysh vetëpërbuzësit s’e shohin vogëlsinë e tyre ndërkohë që mundohen të përçmojnë kultura të tjera, botëkuptime, mënyra të tjera të jetesës. Këta sikur kanë marrë përsipër barrën e njeriut të bardhë për të qytetëruar të tjerët (R. Kippling), pa qenë të vetëdijshëm për relativizmin kulturor që thotë se çdo kulturë ka elemente të vlefshme në vete. Dikotominë që e promovon ky “qerthull intelektualësh” oportunistë frymon në bazë të klisheve për “arabin terrorist”, “turkun mizor”, “kinezin enigmatik”, “indianin spiritualist”, “afrikanin primitiv” dhe të ngjashme, që paraqesin pamje të reduktuara të realiteteve të ndërlikuara njerëzore. (Sulstarova, 2006:18) Për ta s’bën me qenë mysliman, s’bën me qenë konservator, spiritual, s’bën me qenë me havale, s’bën me qenë i xhamisë, sepse kjo të tjetërson nga kultura dhe qytetërimi dominant. Sipas tyre kanë gabuar edhe Jasir Asani edhe Mirlind Daku që ranë në sexhde, edhe Ardian Ismajli që e përqafoi nënën e tij me shami sepse prishin imazhin shqiptar ose imazhin si duam të paraqitemi ne para botës. Me siguri se janë ndjerë shumë keq në ato momente! Mendjelehtësi se ç’ke me të! Do gënjekim botën se në fakt s’jemi ata që jemi. Ata imagjinojnë por s’e gjejnë dot shkopin magjik për konvertim kolektiv që qëndron si tezë e shtruar nga Kadare and co. që është një fantazi që s’ka gjasa të bëhet realitet.

Ky profil “pseudoiluministësh” duan të fshijnë një pjesë të mirë të historisë dhe identitetit të vet, gjë që s’e arrijnë dot dhe që i shqetëson jetësisht. Duan një rini jofetare, antifetare, antivetja,  nihiliste. Ndërsa “një popull që nuk kujdeset për rininë e vet, nuk është i rrezikuar nga të tjerët, por nga vetvetja!” (Mehmeti) Nën parullat e atdhetarisë, patriotizmit, nga thellësitë e zemrës dhe qenies së vet duan të na tjetërsojnë, të na tëhuajësojnë në mënyrë që “të na shpëtojnë” përmes modeleve kulturore nacionale të paketuara arbitrarisht nga ata vetë. Për këtë punojnë, por ama rezultati nuk u del sipas llogarive të bëra ngase ky popull di se kush është dhe çfarë do. Dhe për fund: jo gjithherë publiciteti dhe fama planetare e një personi janë në korelacion të drejtë me vlerat.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit