Për lëvruesin e prozës gogoliane

Dëshmia e parë serioze për vlerën e një vepre artistike është mbijetesa e saj përtej kohës së krijimit. Këtë fat e kanë vetëm veprat e veçanta si ajo e Faik Konicës, që arrin e freskët edhe në kohën tonë, madje, çuditërisht, më e freskët dhe më aktuale se një pjesë e shkrimeve publicistike e letrare të së sotmes. Mjafton veç leximi i pasazheve të veçanta të shkrimeve të tij për të konstatuar se ato janë të gjithkohshme, shkrime që mbetën të qëndrueshme jo vetëm kur trajtuan temën e dhimbshme dhe të koklavitur shqiptare, por edhe kur iu rrekën çështjeve që kapërcejnë gjeografinë tonë.

Vepra e Tij ka mundur dhe është dashur të studiohet më shumë dhe në mënyrë më profesionale, sepse është e vlefshme dhe e zoja t’i bëjë nder kulturës shqiptare edhe në shekujt që vijnë; sepse, siç thotë Kadareja, në kontekst të vepërs së Migjenit: Fondi i artë i letërsisë së një populli përbëhet pikërisht nga vepra autorësh që hapin rrugë të reja, rrugë të parrahura më parë, shkurt, që janë ‘tjetërlloj.

Nisur nga e sipërthëna, mund të konstatojmë pa drojë, se, nëse ndonjë shkrimtar shqiptar ka qenë inaugurues rrugësh të parrahura dhe të tjetërllojshme, Ai është autori i prozës së llojit gogolian, Faik Konica, pas të cilit vijnë disa uraganë të tjerë të ndërprerë të letërsisë shqipe…

Shkaqet e vështrimit të veprës së Konicës me një sy tjetërfare dhe mungesa e dukshme e dashamirësisë ndaj saj nga disa studiues shqiptarë janë të njohura. Emri i tij u gjend në krye të listës së letrarëve të ekskomunikuar për një periudhë tepër të gjatë. Vepra e tij u satanizua më keq se cilado krijimtari tjetër me përmasa të përafërta dhe u konsiderua e rrezikshme për ideologjinë komuniste, sepse nxiste mendimin e lirë dhe s’futej dot brenda shabloneve të ngushta të letërsisë socrealiste; sepse binte ndesh me logjikën e baballarëve të pragmatizmit zhdanovist, të cilët, për çudi, i kishte zhveshur para se t’i njihte dhe shumë kohë para se të arrinte kjo flamë në Shqipëri, kryesisht përmes emisarëve sllavë; sepse pikëpamjet e tij qenë të parakohshme për auditorin shqiptar; sepse përmbyste kierarkinë e vlerave të dyshimta, të konstruktuara për shkaqe e rrethana jashtëletrare e jashtëkulturore; sepse solli në letërsi frymën kritike; sepse shkroi  pa drojë e pa hatër edhe për veset që i mbanin shqiptarët në vendnumëro.

Për këtë shkak vepra e tij poliedrike u bë objekt hulumtimesh të mirëfillta vetëm pas rrëzimit të sistemit monist, kur u kuptua spekulimi se gjoja Konica paska lënë përgjysëm të gjitha shkrimet dhe punët e filluara, pa arritur të realizohet në ndonjë fushë të kulturës a të letërsisë. Dalja në shesh e kësaj gënjeshtre dëshmoi se Ai është krijues i realizuar, veçmas në zhanrin e esesë, që për shumëkë është produkt i pastër letrar; se është eseist pothuajse me secilën vepër, me secilin shkrim, me secilin artikull publicistik, me dy prozat brilante narrative, me epistolarin e begatshëm dhe me vështrimet kritike shumëdimensionale, që i nënshtrohen pashmangshëm procesit të eseizimit. Ai është madje një eseist i pranuar edhe në letërsinë evropiane, veçmas me kryeveprën „Ese për gjuhët natyrore dhe artificiale”, e cila qe në qendër të një debati të madh ndërkombëtar dhe sfidoi me sukses përpjekjet hegjemone të disa shteteve që kërkonin zëvendësimin e gjuhëve të kulturave “të vogla” me ndonjërën prej gjuhëve artificiale, si esperantoja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit