Doracak: Një ditë pas zgjedhjeve

Shkruan: Blendi Hodai

1. Në një shtet pluralist dhe demokratik si në këtë rast Maqedonia e Veriut, për të avancuar kulturën politike, duhet të jetë normale që partia që i humb zgjedhjet të pranojë humbjen. Pranimi i humbjes nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi nënkupton nivel të lartë të kulturës politike.

2. Është historike që shqiptarët janë kaq shumë në numër si deputetë të zgjedhur në Kuvendin e MV-së. Ata duhet të jenë gardianët apo mbrojtësit e të drejtave të shqiptarëve në qoftë se ekziston rreziku për minimizim të tyre, në çdo formë qoftë ajo.

3. Për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, partia e dytë me numrin më të madh të deputetëve është një koalicion shqiptar. Në këtë pikë s’ka gjë për hatër mbetje.

4. Dalja e ulët në vendbanimet shqiptare, interpretohet si votë e simpatizantëve partiak – pra qytetari i thjeshtë është i lodhur me individë të harxhuar dhe me ide të vjetërsuara.

5. Fronti Europian është më shumë një “Front i Mbijetesës” për disa politikan që janë pjesë e kësaj strukture, duke mbijetuar në jetën publike si rezultat i BDI-së.

6. “VLEN” ka çdo të drejtë të negociojë për hyrjen në Qeveri, ku si parti e dytë te shqiptarët – çfarë ka rëndësi është se si do të koalicionojë për në QEVERI. Andaj pyetja duhet të jetë se cilët janë kushtet dhe linjat e kuqe që ky koalicion i ka, apo si do thoshte populli “sa e ka pazarin”.

7. LSDM humbi për shkak të bastardimit të vlerave europiane e për shkak të mos pasjes të aftësive për qeverisje përderisa kanë qenë në pushtet. Pra, kur vjen në pushtet me sloganin “Нема правда нема мир / Pa drejtësi nuk ka paqe“ dhe amniston personat që janë përgjegjës për krimin dhe korrupsionin, është e pritshme një rezultat i tillë.

8. Është kërcënuese për demokracinë kur një parti politike e ka pushtetin qendror, lokal dhe presidentin. Më shqetësuese është kur kampi maqedonas nuk ka më OPOZITË të fuqishme që mundet të luaj një rol balancues në pushtetin absolut të një strukture politike.

Blendi HodaiNa ShkruaniZgjedhje parlamentare RMV 2024Zgjedhje presidenciale RMV 2024