Epoka e post-karakterit dhe arsimi (I)

“Përpjekjet tuaja s’duhet të prodhojnë kurrë përbindësha të ditur dhe psikopatë të aftë. Leximi, shkrimi dhe aritmetika janë të rëndësishme vetëm nëse shërbejnë për t’i bërë fëmijët tanë më njerëzorë.”

Sanford N. McDonnell

Frymëzimi për këtë shkrim, gjegjësisht për pjesën e parë të këtij titulli, vjen nga një intevistë e një legjenda të gjallë të hendbollit jugosllav dhe më gjerë, nga malazezi V. Vujoviq. “Kjo është kohë e post-karakterit, kur njeriu është devalvuar, kur vlerë kanë gjërat për të cilat nuk na kanë mësuar prindërit tanë, dhe për çka  nuk duhet t’i mësojmë fëmijët tanë; por do të kalojë edhe kjo kohë dhe shpresoj se njerëzit do të dinë t’i çmojnë të gjithë ata që i përmbahen vijës së drejtë, të ndershmërisë, e jo ata që për interesa vetjake kthehen në të majtë apo në të djathjtë.” (lobsport.me) Pra, në këtë prononcim flitet për një krizë morale që na ka pllakosur të gjithëve, njerëzimin. Kjo është një rënie e lirë e identitetit moral. Kohëra të pasigurta (uncertain times) dhe të krizës së karakterit. Kohëra të njerëzve të thjeshtë të pacipë e të atyre në pozita dhe që vendosin për fatin tonë që s’kanë karakter. Ndaluni pak shihni skenën politike globale, rastin Gaza, përplasjet zgjedhore të këtyre ditëve dhe do shihni vokabularin që të bën të turpërohesh. Seksmaniakë nëpër shkolla, reality show denigrues dhe degradues në TV, korrupsion nëpër institucione, racizëm nëpër stadiume, luks marramendës e shpërdorime të kapitalit ndërkohë që miliona vdesin urie, familje të shkatërruara… Skena të zeza ne çdo cep të shoqërisë e botës. Kategoria më vitale e shoqërisë, rinia, është e mbërthyer nga probleme të nduarta:  ngathtësi në mësim, nomofobi, etikë e dobët pune, narkomani, padëgjueshmëri, dhunë, mashtrime, bullizim etj. Ky është kontekst i mungesës së karakterit të mirë dhe sjelljes së virtytshme. (Williams, 2023)

Po çfarë është në fakt karakteri që u përmend disa herë në hyrje kësaj kolumne? Etimologjikisht fjala karakter vjen nga greqishtja kharaktēr që do të thotë mjet vulosjeje; nga shek. XVI i hershëm ka marrë kuptimin e shenjës, veçorisë, atributit, më vonë ka përfshirë përshkrimin e ‘cilësive të një personi’, të atyre dalluese të tij. Karakteri është elementi primar i personalitetit njerëzor, që përbëhet nga qëndrimet, bindjet dhe vlerat e një individi. (Pradhan, 2009) Sipas Britannica-s është mënyrë sipas të cilës njeriu mendon, ndjen dhe sillet; është personaliteti vetë, zakonisht unik. Karakteri është mënyra se si  një individ apo një bashkësi sillet. Një përkufizim tjetër është ky: cilësitë mentale dhe morale të veçanta për një person. Sipas fjalorit Merriam-Webster karakteri është tërësi e atributeve mentale dhe etike që e shënojnë një person, grup apo komb. Në gjuhën gjermane karakteri definohet si Gesamt-persönlichkeit, personaliteti total. Karakteri më tepër formohet me rritjen graduale të njeriut sesa që është i bashkëlindur. Ai ndërtohet gjatë aktivitetit, përpjekjeve, marrjes përgjegjësi, bërjes së zgjidhjeve të rënda. (MacDougall, 12)

Sot kriza e karakterit, apo gjendja e ‘karakterit në mes të rrënojave’, duket nga aeroplani. Këtë nocion e trajtojnë si një diçka që i ka dalë moda, si një relik muzeor i zbehur. Sot është koha e kulturës materialiste ku prestigji, prosperiteti dhe popullariteti çmohen më tepër se integriteti (MacArthur, 2009), se njerëzillëku dhe kultura e mirëfilltë. Masmediet, sektori i argëtimit, politika dhe pop kultura “po e vrasin”  karakterin dhe njerëzit që ende e kanë gjallë atë. Të parat nuk informojnë, i dyti nuk zbavit por imponon kiçin, politika nuk udhëhedq por manipulon me shoqërinë, pop kultura shkulturizon, prish vlerat kulturore autentike, duke i zëvendësuar me “bërllok kulturor” apo antikulturë. Dezinformata është bërë maksimë mediale, seksizimi i trupit mjet për të tërhequr opinionin/shikueshmërinë, gënjeshtra instrument për arritje të votës, ndërsa antivlerat platformë e ikonave “shekullare” që s’kanë bërë dy ditë shkollë e që s’kanë lexuar një libër të vetëm në jetë.

“Miliona njerëz shpirtërisht të varfëruar dhe moralisht të shkretnuar, të marramendur nga shkëlqimi i gjërave kalimtare, jetojnë në këtë botë si në një varr të ftohtë.” Bota është shndërruar në fabrikë dhe treg të ndriçimit të rrejshëm dhe të vlerave kalimtare. Sot thuhet se njeriu mundet të ecë i qetë nëpër tokë edhe pa qiellin. (forum.cdm.me) Siç shprehen David Henreckson dhe Michael Lamb në artikullin e tyre “Karakteri në krizë: Sfidat e formimit moral në arsimin e lartë” (2021), sot është luks të flitet për karakterin moral ose për trifektën e vjetër: e vërteta, bukuria dhe mirësia. Pra kriza është evidente, ndërkohë që ajo është nga skenat ku shfaqet karakteri i vërtetë i njeriut (Ackerman, 2024), ku mund të dinamizohet zhvillimi i tij (character development). /vijon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit