Nacionalizmi nuk ka vdekur

Në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare një gjë u bë më se e qartë: nacionalizmi nuk ka vdekur, madje është më i gjallë se kurdoherë. Edhe një herë u tregua se diskursi nacionalist është akumulesi më i madh i votave. Nëse dëshiron të mbledhësh vota pa shumë kokëçarje, thuaj që shqiptarët kanë marë më shumë se sa që duhet të kenë, thuaj se do ta kthejmë shtetin në duart e pronarëve, thuaj që do t’ua tregojmë vendin ku e kanë atyre qeraxhinjve që vitet e fundit u sollën si zotërinj të shtetit. Dhe gjithçka bëhet shumë e lehtë. Harta bëhet portokalli brenda natës dhe pastaj gjithçka është e mundur.

Nacionalizmi asnjëherë nuk të lë në baltë. Për këtë mjafton të shihet rritja e së majtës ekstreme që poashtu me retorikë nacionaliste arriti që kësaj rradhe të bëjë grup parlamentar. Së bashku me Maksimin që poashtu falë retorikës nacionaliste që nuk ndjehej tek partia nga e cila ai doli, tani ai do të ketë grupin e vetë parlamentar. Një gjë është e qartë, nacionalizmi fitoi, ndërsa koncepti për një diversitet multietnik të vendit, ai koncept i promovuar fuqishëm nga presidenti i gjertanishëm Stevo Pendarovski dhe social-demokratët humbi, edhe atë humbi keq si asnjë herë më parë.

Mësimi më i rëndësishëm që mund të nxirret nga këto zgjedhje është se koncepti i diversitetit multietnik u tregua si jo i natyrshëm dhe jo i qëndrueshëm në këtë vend. Një president me kuptime liberale dhe multikulturore si Stevo Pendarovski arriti të jetë në pushtet vetëm një mandat. Aq mund ta përballojë këtë koncept ky shtet, ky është maksimumi që mund të arrihet, gjë që tregon se ky koncept është i përkrahur vetëm nga një pakicë kosmopolitane dhe avangarde në të mendruarit liberal. Tani ai do të zëvendësohet nga një zonjë që nuk heziton t’i shprehë mendimet e saja nacionaliste, si që ka bërë shumë herë deri më tani duke ndarë përshtypjet e saja për Marrëveshjen e Ohrit, rolin e shqiptarëve në këtë shtet, Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe emrin kushtetutes të shtetit. Për më tepër, fakti që në vendbanimet shqiptare ajo arriti të marë numër të konsiderueshëm të votave, tregon më së miri sindromin e Stokholmit ku jemi zhytur kolektivisht. Mund të na shajnë sa të duan, mund të na thonë se jemi të paaftë për të bartur funksione shtetërore, mund të na konsiderojnë si qeraxhinj, e ne megjithatë do ti votojmë, sepse kështu thotë partija që ka premtuar se do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Një palë votojnë Siljanovskën, të tjerët i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale duke bojkotuar kështu edhe konceptin e Pendarovskit, dhe kështu, rezultati është ky që është.

Në bllokun shqiptar debatet lidhur me fituesin janë për të ardhur keq. Si gjithmonë, të gjithë festojnë. Njëra palë feston fitoren me diferencë prej 30.000 votash dhe faktin që ka dalë subjekti i dytë politik në shtet, por është më se e vetëdijshme që rrethanat kanë ndryshuar dhe që vështirë se do ta ketë pushteti që e kishte gjatë viteve të kaluara, kur shqiptarët udhëhoqën me resoret më të rëndësishme të shtetit. Pala tjetër feston faktin se partneri i tyre potencial që u ka premtuar se do ti marrë në qeveri ka fituar bindshëm. Pra edhe pse në bllokun e vetë janë 30.000 vota mangët, ata festojnë sepse partneri i tyre potencial ka fituar. Kur e shoh këtë padurim për t’u bërë qoftë edhe si humbës pjesë e një qeverie të udhëhequr nga VMRO-DPMNE e rikthyer fuqishëm me të vërtetë nuk arrij ta kuptoj gëzimin dhe euforinë e madhe që i ka kapluar.

Nga ana tjetër është momenti ndërkombëtar. Kur në vitin 2017 u bë ndryshmi i shumëpritur dhe ky shtet u kthye në binarët e integrimit evropian prej ku kishte devijuar kohë më parë, kur u arrit zgjidhja e konfliktit tridekadësh lidhur me emrin e shtetit, në atë kohë, kur euforia e daljes nga një regjim dhjetëvjeçar ishte në kulminacion, arriti dushi i ftohtë francez dhe vetoja për hapjen e bisedimeve për aderim në BE, e pasuar pastaj nga vetoja Bullgare. Në këtë mënyrë, Unioni Evropian që promovon vlerat e diversitetit, me faktin që e neglizhoi një sakrificë të madhe që solli ndasi të thella në këtë shtet të vogël, kontribuoji në mënyrë direkte në shuarjen e ngadalshme por të sigurtë të atij koncepti properërndimor dhe prointegrues dhe u dha hapësirë kundërshtarëve konzervativë dhe nacionalistë të ndërtojnë retorikën e njohur se ne i dhamë të gjitha e nuk morëm asgjë në këmbim. Ishte kjo retorikë vendimtare që i karakterizoi këto zgjedhje. Tani paçin fat edhe miqtë tanë perëndimor në negociatat e mëtejshme lidhur me ardhmërinë gjeo-strategjike të këtij shteti i cili që sot që është Dita e Evropës, shumë lehtë mund t’i kthehet izolimit jo shumë të panjohur për të.

E djathta konzervative dhe nacionaliste u rikthye fuqishëm në pushtet ndërsa e majta radikale ka rritje të konsiderueshme. Ky është realiteti në të cilin pak rëndësi ka se cilët do të jenë partnerët e një qeverisjeje të tillë. Fundja ky është vullneti i qytetarëve dhe janë ata që zgjedhin se kush do t’i udhëheqë në rrugët e errëta dhe të paparashikueshme drejt ardhmërisë.

Besa ArifiKolumnat e Portalbit