Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme njoftoi se të dielën do të fillojë evakuimi i shtetasve të Maqedonisë nga vendet e Lindjes së Mesme, i cili do të realizohet me fluturime çarter komerciale, transmeton Portalb.mk.
“Ministria këtë pasdite ka lidhur kontratë me një kompani ajrore, në përputhje me Ligjin për Prokurimet Publike, pas përfundimit të procedurës përkatëse. Sipas planit të përcaktuar dhe dinamikës së paraparë, pritet që deri në mesin e javës së ardhshme të evakuohen të gjithë shtetasit maqedonas që kanë shprehur gatishmëri për t’u kthyer”, thuhet në njoftim.
Procesi është plotësisht i koordinuar nga Ministria dhe përfaqësitë diplomatike-konsullore në rajon. Përfundimi i procedurës së prokurimit publik paraqet konfirmim për veprimin në kohë dhe me përgjegjësi në drejtim të mbrojtjes dhe kujdesit për qytetarët maqedonas.
Sipas të dhënave të fundit, deri më sot, Ambasadën në Doha e kanë kontaktuar 150 shtetas maqedonas, nga të cilët 95 kanë shprehur gatishmëri për evakuim. Ambasadën në Abu Dabi e kanë kontaktuar gjithsej 585 persona që qëndrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe 36 persona nga Kuvajti, 15 nga Bahrejni dhe 5 nga Mbretëria e Arabisë Saudite.
Ministria, siç thuhet në njoftim, edhe një herë u bën thirrje të gjithë shtetasve maqedonas që ende nuk kanë kontaktuar përfaqësitë diplomatike-konsullore kompetente, por kanë nevojë për evakuim ose asistencë, ta bëjnë këtë sa më shpejt përmes numrave të telefonit të emergjencës të përfaqësive diplomatike-konsullore ose përmes numrit SOS të Ministrisë.
Detajet teknike dhe organizative për realizimin e fluturimeve do të përcaktohen në koordinim me operatorin ekonomik, për çka qytetarët do të informohen me kohë.
Ministria mbetet në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe në koordinim me institucionet kompetente, me qëllimin prioritar – kthimin e tyre të sigurt dhe në kohë.