RMV, gruaja e rrahur bashkëshorti me lëndime serioze është dërguar në spital, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në Bardovcë

Nga Ministria e Punëve të Brendshme konfirmuan se dje është denoncuar se 52-vjeçari M.M. ffizikisht e ka sulmuar bashkëshorten e tij 42-vjeçare. Nga MPB-ja thonë se rasti dje është denoncuar nga i ati i M.M., ndërsa menjëherë pastaj personi është privuar nga liria, njofton Portalb.mk.

Sipas informatave nga MPB-ja, incidenti ka ndodhur më 27 nëntor rreth orës 12:30 në shtëpinë familjare. Nga MPB-ja thonë se i dyshuari është person me shëndet të rënduar mendor. Gruas së lënduar fillimisht i është ofruar ndihmë mjekësore në spitalin e Gostivarit, por për shkak të seriozitetit të lëndimeve është transferuar për mjekim në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore.

Zyrtarë policorë nga stacioni policor Gallate e kanë privuar nga liria të dyshuarin në orën 14:10. Gjatë intervenimit ai ka bërë rezistencë dhe ka sulmuar fizikisht zyrtarë policorë, me ç’rast një polic është lënduar. Për rastin është njoftuar prokurori publik, ndërsa M. M. është dërguar në Spitalin Psikiatrik „Shkup“ në Bardovcë.

Edhe nga Prokuroria Publike sot njoftuan se i dyshuari është siguruar dhe se po veprohet lidhur me rastin. Nga atje informojnë se po ndërmerren të gjitha veprimet për mbledhje urgjente të provave në përputhje me procedurën për koordinim urgjent dhe veprim sipas denoncimeve për dhunë në familje. Në procedurë janë përfshirë edhe zyrtarë policorë dhe Qendra për Punë Sociale.

Potencojnë se kualifikimi juridik i veprës do të përcaktohet në më mënyrë plotësuese, pasi që të sigurohen dhe të shqyrtohen të gjitha provat.

Dhuna ndaj graveDhunë - DhunaMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)