RMV, sulm në sallë sporti, rrahje e incizuar me telefon dhe grabitje – policia ka regjistruar katër raste të dhunës mes bashkëmoshatarëve

Katër raste të dhunës mes bashkëmoshatarëve ka regjistruar policia gjatë 24 orëve të fundit, njofton Portalb.mk.

Rasti i parë, i cili është regjistruar në buletinin e sotëm policor, është nga mbrëmja e së enjtes kur 44-vjeçari A.P. nga rrethina e Shkupit ka denoncuar se vajza e tij 12-vjeçare është sulmuar fizikisht nga dy të mitura. Ngjarja, siç shtohet, ka ndodhur në zhveshtoren e një salle sportive në Ilinden.

Dje në orën 14:45 në SPB Shkup është denoncuar se të mërkurën, më 25.11.2026, në një shkollë fillore në territorin e Komunës së Aerodromit në Shkup, një i mitur është sulmuar fizikisht nga dy të mitur. Nga MPB-ja thonë se një i mitur e ka incizuar ngjarjen me telefon celular.

Në territorin e Komunës së Aerodromit, dje është denoncuar edhe një rast i përleshjes fizike mes dy personave. Për shkak të raporteve të prishura paraprake, ka ndodhur një përleshje fizike mes 18-vjeçarit A.A. nga Shkupi dhe një të mituri 14-vjeçar nga rrethina e Shkupit.

Rasti i katërt i dhunës mes bashkëmoshatarëve është nga mbrëmë, kur A.D. (18) nga Shkupi dhe dy 17-vjeçarë nga Shkupi dhe rrethina e Shkupit, në Parkun e Qytetit, duke i kërcënuar me një send druri, u kanë marrë para katër të miturve nga Shkupi, pas çka i kanë sulmuar fizikisht dy prej tyre. Më pas, në orën 22:20, zyrtarë policorë nga SPB Shkup i kanë privuar nga liria tre sulmuesit.

Nga MPB-ja thonë se po ndërmerren masa për zbardhjen e të gjitha rasteve dhe pas dokumentimit të tyre do të pasojnë parashtresat përkatëse.

Dhuna ndaj fëmijëveDhunë - DhunaMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)