MPB-ja nuk konstatoi lëshime për arratisjen e Iva Mihajllovës

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka konstatuar lëshime në veprimet e policisë lidhur me arratisjen e Iva Mihajllovës në Bullgari. Ajo ndodhet atje prej më shumë se një muaji dhe nuk u paraqit në seancën gjyqësore për një aksident trafiku me një viktimë. MPB-ja ende nuk ka sqaruar publikisht se si dhe nga ku është larguar ajo nga vendi, transmeton Portalb.mk.

Kontrollet kanë përfshirë shërbimet kufitare dhe policinë e Koçanit. Kjo e fundit ishte përgjegjëse për zbatimin e masave për sigurimin e pranisë së Mihajllovës.

“Nga kontrollet e kryera deri më tani, nuk janë konstatuar parregullsi apo lëshime në veprimet e shërbimeve kompetente pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme”, deklaruan nga MPB-ja.

Ministria nuk tregoi se çfarë veprimesh ka ndërmarrë dhe sa persona janë marrë në pyetje. Për këtë u thirr në natyrën e procedurës dhe mbrojtjen e interesave të saj. Deri më tani, ka bërë të ditur vetëm se Mihajllova nuk është larguar përmes një vendkalimi kufitar.

Ndërkohë, në Bullgari janë ngritur dyshime për përfshirjen e Agjencisë Shtetërore për Siguri Kombëtare, DANS. Prezantuesi në YouTube, Stanislav Canov, publikoi biseda të regjistruara fshehurazi me Mihajllovën. Sipas tij, ajo anuloi një intervistë të dakorduar për shkak të një ndalimi nga kjo agjenci.

Në regjistrime thuhet se shërbimi sekret përcaktonte se në cilat emisione mund të paraqitej ajo. Gjithashtu, përmendet se i ishte thënë se nuk do t’i lejohej trajtimi dhe rehabilitimi.

DANS-i mohoi se ushtron presion ndaj Mihajllovës. Edhe ajo, përmes Facebook-ut, deklaroi se të gjithë në Bullgari e kishin ndihmuar dhe se askush nuk e kishte vënë nën presion. Megjithatë, nuk e kundërshtoi vërtetësinë e përmbajtjes së regjistrimeve.

Opozita bullgare kërkoi mbikëqyrje të shërbimeve sekrete për të sqaruar rastin.

Në bisedën e regjistruar, Mihajllova thotë se e kishte kaluar kufirin e vetme. Më herët kishte deklaruar se kishte udhëtuar me letërnjoftim. Ajo ka edhe pasaportë bullgare.

Pas arratisjes, ndaj Mihajllovës është lëshuar fletarrestim.

Mihajllova u largua për në Bullgari në tetor, ndonëse si masë kujdesi i ishin marrë si pasaporta maqedonase, ashtu edhe ajo bullgare. Në Gjykatën Themelore të Koçanit ajo akuzohet për aksidentin në rrugën ekspres Shtip–Koçan, ku humbi jetën 33-vjeçari Besim Durmishi nga Luboteni i Shkupit. Gjykata vendosi që ajo të gjykohej në mungesë, ndërsa në seancën e 9 nëntorit ia refuzoi kërkesën për të marrë pjesë përmes videolidhjes nga Bullgaria.

BullgariaMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)