Plani i ri i veprimit për qeverisje të hapur parashikon më shumë transparencë, shërbime digjitale dhe kontroll të institucioneve

Lufta kundër korrupsionit, llogaridhënia më e madhe e institucioneve, digjitalizimi, pjesëmarrja qytetare dhe mbrojtja e mjedisit janë ndër temat që do të përfshihen në Planin e ri Kombëtar të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (PKV 7), për periudhën 2026–2028, transmeton Portalb.mk.

Drafti i planit u prezantua sot në ngjarjen publike “Nga prioritetet e përbashkëta te zotimet konkrete”, e mbajtur në Klubin e Deputetëve në Shkup. Në këtë ngjarje u prezantuan zotimet e propozuara për përmirësimin e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në hartimin e politikave publike.

Sipas ministrit të Administratës Publike, suksesi i Planit të ri Kombëtar të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (PQH), për periudhën 2026–2028, nuk do të varet vetëm nga numri i aktiviteteve të realizuara, por edhe nga cilësia dhe qëndrueshmëria e ndryshimeve që do të sjellë.

“Plani synon të përmirësojë hapjen, llogaridhënien dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes, por edhe të sigurojë përmirësime konkrete në funksionimin e përditshëm të institucioneve publike. Qëllimi ynë është që parimet e qeverisjes së hapur të shndërrohen në zgjidhje funksionale që do ta përmirësojnë punën e institucioneve në dobi të qytetarëve”, tha Goran Minçev.

Zëvendëssekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Hristina Sofronijoska, theksoi se gjatë përgatitjes së planit të ri të veprimit i është kushtuar vëmendje e veçantë rritjes së transparencës së Kuvendit, digjitalizimit dhe përfshirjes së të rinjve në proceset parlamentare. Ajo njoftoi se, në kuadër të procesit konsultativ, ishte organizuar një trajnim me 29 organizata të shoqërisë civile, të cilave u ishte dërguar drafti i planit të veprimit. Gjatë konsultimeve ishin propozuar pesë masa.

“Ndër prioritetet e Kuvendit janë përmirësimi i kanalit televiziv të Kuvendit dhe rritja e qasjes së publikut në informacionet parlamentare. Partneriteti me organizatat e shoqërisë civile duhet të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme të zbatimit të planit”, tha Sofronijoska.

Për rëndësinë e hapjes në gjyqësor foli edhe gjyqtarja Katerina Georgievska. Ajo theksoi se transparenca e institucioneve gjyqësore është e domosdoshme për forcimin e besimit të qytetarëve dhe sigurimin e qasjes në drejtësi.

“Gjykata Supreme është e përfshirë në Planin Kombëtar të Veprimit, ndërsa një nga zotimet e parashikuara është avancimi i sistemit AKMIS, me qëllim që të mundësohet ndjekja elektronike e lëndëve që lidhen me dhunën dhe mbrojtja më e madhe e viktimave. Hapja nuk është qëllim në vetvete, por mjet për forcimin e besimit të qytetarëve në gjyqësor”, tha Georgievska.

Nga diskutimi për draftin e Planit Kombëtar të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur 2026–2028. Foto: Meta.mk

German Filkov nga Qendra për Komunikime Qytetare, i cili është edhe bashkëkryetar i Këshillit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur, theksoi se Maqedonia e Veriut deri më tani ka realizuar gjashtë plane kombëtare të veprimit. Sipas tij, plani i ri, i shtati, ka perspektiva veçanërisht të mira për zbatim, për shkak të përfshirjes më serioze të institucioneve në përgatitjen e tij. Ai tha se Maqedonia e Veriut është vendi i nëntë që iu bashkua nismës së Partneritetit për Qeverisje të Hapur dhe i vetmi në Evropë me qasje të integruar ndaj qeverisë së hapur dhe parlamentit të hapur.

“Gjatë 15 viteve të fundit, koncepti i Partneritetit për Qeverisje të Hapur ka evoluar nga qeveria e hapur drejt shtetit të hapur, që nënkupton përfshirjen e të gjitha degëve të pushtetit. Thelbi është që të gjithë të jetojmë në një shtet të hapur, me të gjitha pjesët e tij përbërëse”, tha Filkov.

Ai veçoi disa karakteristika të procesit të përgatitjes së planit të ri të veprimit. Ndër to janë platforma publike në internet ku qytetarët mund ta ndjekin përparimin, puna sipas një orari të përcaktuar paraprakisht dhe praktika që për çdo propozim të dorëzuar të jepet një përgjigje e argumentuar dhe e arsyetuar.

“Të gjitha zotimet e propozuara duhet të jenë në përputhje me katër parimet themelore të qeverisjes së hapur: transparencën, llogaridhënien, përdorimin e teknologjive dhe inovacioneve, si dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes”, shtoi ai.

Sipas Dançe Danillovska–Bajdevskës nga Fondacioni “Metamorfozis”, është e rëndësishme që digjitalizimi të mos shihet si qëllim në vetvete, por si një mënyrë që institucionet t’u shërbejnë më mirë qytetarëve.

Një nga zotimet e parashikuara është krijimi i një regjistri të unifikuar dhe të sigurt për personat me aftësi të veçanta, i cili duhet ta tejkalojë fragmentimin aktual të të dhënave ndërmjet institucioneve. Sipas Danillovska-Bajdevskës, kjo do të mundësojë thjeshtimin e procedurave administrative, realizimin më të lehtë të të drejtave dhe planifikimin më të mirë të shërbimeve sociale e shëndetësore. Mbrojtja e të dhënave personale të ndjeshme duhet të jetë prioritet.

Në shëndetësi parashikohet krijimi i një regjistri kombëtar të të dhënave të hapura shëndetësore, përmes të cilit informacionet do të standardizohen dhe do të jenë të qasshme për analizë në formë të përmbledhur dhe të anonimizuar.

“Të dhëna të hapura nuk do të thotë hapje e dosjeve personale mjekësore. Qëllimi është krijimi i një baze për politika më të mira shëndetësore, kërkime shkencore dhe mbikëqyrje publike. Zotimi i tretë lidhet me mbikëqyrjen inspektuese, përkatësisht me avancimin e sistemit ‘e-inspektor’, vendosjen e standardeve të përbashkëta dhe publikimin e të dhënave në format të lexueshëm nga kompjuteri për kontrollet e kryera, parregullsitë e konstatuara dhe masat e ndërmarra. Kjo duhet të mundësojë ndjekje më efikase të punës së inspektorateve dhe llogaridhënie më të madhe institucionale”, tha Danillovska–Bajdevska.

Ajo paralajmëroi se krijimi i platformave të reja digjitale, në vetvete, nuk garanton reformë të suksesshme. Për këtë, siç theksoi, nevojiten përgjegjësi institucionale të përcaktuara qartë, ndërlidhje e sistemeve, zgjidhje të përshtatshme ligjore dhe teknike, burime dhe ndjekje e rregullt publike e rezultateve.

“Organizatat e shoqërisë civile duhet të mbeten partnere jo vetëm në hartimin, por edhe në testimin dhe monitorimin e zotimeve”, porositi Danillovska–Bajdevska.

Gjatë diskutimit u prezantuan zotimet e draftplanit. Folën edhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, ndër të cilët Stojan Mishev nga ESE dhe Kire Millovski nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”. Për parlamentin e hapur dhe gjyqësorin e hapur folën Zllatko Atanasov nga Kuvendi dhe Nikolla Jovanovski nga Qendra për Kërkime dhe Analiza Juridike.

Fondacioni Metamorfozis (Metamorphosis)Goran MinçevMinistria e Administratës Publike (MAP)OJQ Qendra për Komunikime Civile (QKC)Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së Veriut