Nga e hëna, 21 shtator, pritet të nisë zbatimi i vendimit për intonimin e himnit shtetëror çdo të hënë në të gjitha shkollat e Komunës së Gazi Babës në Maqedoninë e Veriut. Paralajmërimi vjen pas kundërshtimeve të prindërve shqiptarë, ndërsa zotimet e VLEN-it për ndryshimin e himnit vazhdojnë të mbeten pa realizim, shkruan Portalb.mk.
Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, tha sot para gayetarëve se vendimi është miratuar në Këshillin e Komunës dhe përfshin të gjitha shkollat në territorin e saj. Ai pretendon se prindërit e mirëpresin nismën, duke e lidhur himnin me identitetin, historinë dhe sovranitetin e shtetit.
“Mendoj se është një vendim i drejtë”, deklaroi Stefkovski.
Megjithatë, intonimi ka filluar edhe më herët, Portalb këtë e verifikoi në shkollën “Krum Toshev” ku ka nxënës maqedonas, ndërkaq në shkollat e kësaj komune me nxënës shqiptarë himni ende nuk është intonuar.
Prindërit kundërshtojnë ndërsa premtimet mbeten në letër
Kujtojmë se në Idrizovë, prindërit e nxënësve të shkollës “Njegosh” e kanë kundërshtuar vendimin, pasi kërkesa për mësim në shqip nga klasa e pestë e lart ende nuk është zgjidhur. Prindi Rizvan Seferi e cilësoi atë si provokim në deklaratën për Portalb.mk, të publikuar më 10 shtator.
“Kur bëhet fjalë për paralele shqipe, nuk ka zgjidhje”, tha Seferi.
Edhe Aleanca për Shqiptarët kërkoi që përparësi t’u jepet kushteve në shkolla dhe mësimit në gjuhën amtare. VLEN-i ende nuk e ka komentuar nismën.
Më shumë se dy vjet pushtet, asnjë hap: Ku mbetën premtimet e VLEN-it për ndryshimin e himnit
Në programin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 8 majit 2024 në Maqedoninë e Veriut, koalicioni VLEN, i përbërë nga disa parti shqiptare, mes tyre Lëvizja Besa, Alternativa, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, pati premtuar ndryshimin e stemës dhe himnit shtetëror. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet që kur VLEN-i është pjesë e pushtetit, deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret institucional në këtë drejtim.
Deri më tani aq që është bërë publik ndonjë propozim konkret për ndryshimin e himnit. Kujtojmë se në himnin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, i miratuar pas pavarësimit nga ish-Jugosllavia, i këndohet kombit maqedonas, territoreve dhe heronjve maqedonas, si dhe betejave të tyre për liri.
Nismat për intonimin e himnit
Nismë për intonimin e himnit shtetëror nëpër shkolla pati vjeshtën e vitit 2023, ku disa komuna të Shkupit të cilat drejtohen nga kryetarët e VMRO-DPMNE-së e cila ishte në opozitë aso kohe. Ky veprim u cilësua si veprim provokativ dhe me tendencë për nxitjen e raporteve mes bashkësive etnike. Megjithatë edhe përkundër kësaj, në disa shkolla të komunave me shumicë maqedonase brenda viteve, nisma u institucionalizua përmes rregulloreve të brendshme pa hasur kundërshtime qytetare.
Kujtojmë se atëbotë njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, më 7 tetor 2023, pati deklaruar se himni shtetëror nuk e reflekton realitetin multietnik të shtetit dhe shoqërisë në Maqedoninë e Veriut.
“Përderisa është ky realitet, atëherë ne kërkojmë që duhet të ndërrohet himni i shtetit dhe të respektojë diversitetin kulturor dhe etnik”, pati deklaruar Kasami.
Më pas, pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së, në vitin 2024 me anë të ligjit u propozua që himni shtetëror që të intonohet në shkolla. Projektligji për Arsimin e mesëm kaloi në lexim të parë, por në seancën e komisionit për fazën e dytë u tërhoq nga Kuvendi. Opozita, përmes Frontit Evropian si dhe koalicioni qeverisës VLEN shpallën bllokimin e tij. Ministrja Janevska e pranoi tërheqjen si një ballafaqim me realitetin politik dhe tha se do të përmirësohet ligji, ndonëse kryeministri Mickoski vazhdon ta mbrojë nismën si standard qytetar. Aktualisht, ky ligj ende ndodhet në sirtarët e Kuvendit por nuk dihet nëse neni 54 që parashihte intonimin e himnit është hequr.
- LEXO: Më shumë se dy vjet pushtet, asnjë hap: Ku mbetën premtimet e VLEN-it për ndryshimin e himnit dhe stemës
- LEXO: Prindër të revoltuar: Derisa nxënësve në Idrizovë u mohohet mësimi në shqip, komuna e intonon himnin maqedonas në shkolla
- LEXO: Çdo javë mësimi do të fillojë me recitimin e himnit të Maqedonisë, vendosi kryetari i komunës