Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Financave për detyrimet e raportuara, kategoria e shërbimeve komunale, ngrohjes, komunikimit dhe transportit është e dyta më e madhe në strukturën e borxhit të përgjithshëm të maturuar dhe të papaguar në vend, i cili arrin në 43.841.062.661 denarë ose 712,86 milionë euro, transmeton Portalb.mk.
Para saj renditet vetëm kategoria e materialeve dhe inventarit të imët, me borxh të maturuar prej 149,90 milionë eurosh. Pas saj vijnë shpenzimet e tjera rrjedhëse me 81,14 milionë euro dhe shlyerja e principalit ndaj kreditorëve jorezidentë me 76,01 milionë euro.
Pjesa më e madhe e detyrimeve të përgjithshme të maturuara u takon ndërmarrjeve publike dhe shoqërive tregtare në pronësi shtetërore, të cilat kanë borxh 281,98 milionë euro ose 39,56 përqind të totalit. Pas tyre renditen institucionet publike shëndetësore me borxh prej 157,18 milionë eurosh, ndërmarrjet publike komunale me 105,53 milionë euro dhe komunat me 93,51 milionë euro. Subjektet e tjera kanë detyrime të maturuara prej 37,08 milionë eurosh, ministritë dhe organet qeveritare si shfrytëzues buxhetorë të linjës së parë kanë borxh 20,95 milionë euro, shkollat dhe kopshtet si shfrytëzues lokalë të linjës së dytë kanë borxh 9,32 milionë euro, ndërsa shfrytëzuesit buxhetorë kombëtarë të linjës së dytë kanë detyrime prej 6,85 milionë eurosh.
Në mesin e dhjetë debitorëve më të mëdhenj individualë në vend janë edhe disa ndërmarrje nga sektori i energjetikës, shërbimeve komunale dhe transportit.
Në krye janë NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura” Shkup, me borxh të maturuar prej 91,55 milionë eurosh, dhe SHA “HK Transport” Shkup me 87,17 milionë euro. Në vendin e tretë është SHA “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (ESM), me 40,31 milionë euro. Në vendin e gjashtë është ESM Distribucioni i Ngrohjes SHPKNJP Shkup, me detyrime të maturuara prej 27 milionë eurosh, ndërsa NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Shkup renditet në vendin e nëntë, me borxh prej 12,66 milionë eurosh.
Në dhjetëshen e parë janë edhe Institucioni Publik për nevojat e Institucionit Publik Shëndetësor Klinikat Universitare, Klinika për Radioterapi dhe Onkologji, Instituti i Mjekësisë së Transfuzionit, si dhe komunat e Gostivarit dhe Tetovës.
Pothuajse gjysma e borxhit të përgjithshëm të maturuar, përkatësisht 344,15 milionë euro, janë detyrime ndaj sektorit publik, ndërsa 332,44 milionë euro u detyrohen sektorit privat, shoqatave dhe organizatave joqeveritare. Përveç borxheve tashmë të maturuara, janë raportuar edhe detyrime ende të pamaturuara prej 222,10 milionë eurosh për vitin aktual, 187,88 milionë euro për vitin e ardhshëm dhe 197,55 milionë euro për vitin pasardhës.