Më shumë se dy vjet pushtet, asnjë hap: Ku mbetën premtimet e VLEN-it për ndryshimin e himnit dhe stemës

Në programin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 8 majit 2024 në Maqedoninë e Veriut, koalicioni VLEN, i përbërë nga disa parti shqiptare, mes tyre Lëvizja Besa, Alternativa, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, pati premtuar ndryshimin e stemës dhe himnit shtetëror, shkruan Portalb.mk. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet që kur VLEN-i është pjesë e pushtetit, deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret institucional në këtë drejtim.

Premtimi i VLEN-it në zgjedhjet parlamentare 2024

As stema nuk është ndryshuar ndërsa ndryshimi kushtetues për himnin nuk është hapur si proces. Deri më tani aq që është bërë publik ndonjë propozim konkret për ndryshimin e stemës apo himnit. Kujtojmë se në himnin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, i miratuar pas pavarësimit nga ish-Jugosllavia, i këndohet kombit maqedonas, territoreve dhe heronjve maqedonas, si dhe betejave të tyre për liri. Edhe stema nuk pasqyron elemente të shtetit multietnik, ndryshimi i parë i stemës shtetërore që përdoret qysh nga viti 1946 u bë në vitin 2009 kur ylli i  kuq u hoq nga stema socialiste e Maqedonisë.

Himni në shkolla, sërish problem

Çështja e himnit u riaktualizua gjatë fillimit të këtij viti shkollor 2026/27, pasi kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, deklaroi se duke filluar nga ky vit shkollor, çdo të hënë në shkollat e kësaj komune do të lëshohet himni shtetëror. Nga Shkolla Fillore Komunale “Kurum Toshev” me nxënës të përkatësisë maqedonase, për Portalb.mk, konfirmuan se nga kjo javë ka filluar intonimi i himnit shtetëror në shkollë, sipas sugjerimeve të kryetarit të Komunës.

Ndërkaq, sa i përket shkollave të kësaj komune që kanë dhe nxënës shqiptar, deri më tani mësojmë se himni nuk është intonuar. Konkretisht, në vendbanimin Idrizovë, prindërit shqiptarë reaguan ashpër dhe protestuan, duke theksuar paradoksin e imponimit të simboleve unietnike në një kohë kur nxënësve shqiptarë të asaj zone u mohohej hapja e paraleleve mësimore në gjuhën amtare.

Ndaj këtij vendimi kanë reaguar edhe nga Aleanca për Shqiptarët (ASH). Nga kjo parti thonë se patriotizmi nuk duhet të matet me sa herë këndohet një himn, por me investimet që bëhen në arsim dhe me kushtet që u sigurohen fëmijëve. Kurse VLEN në pushtet nuk e ka komentuar nismën e Komunës së Gazi Babës.

Nismë për intonimin e himnit shtetëror nëpër shkolla pati vjeshtën e vitit 2023, ku disa komuna të Shkupit të cilat drejtohen nga kryetarët e VMRO-DPMNE-së e cila ishte në opozitë aso kohe. Ky veprim u cilësua si veprim provokativ dhe me tendencë për nxitjen e raporteve mes bashkësive etnike. Megjithatë edhe përkundër kësaj, në disa shkolla të komunave me shumicë maqedonase brenda viteve, nisma u institucionalizua përmes rregulloreve të brendshme pa hasur kundërshtime qytetare.

Kujtojmë se atëbotë njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, më 7 tetor 2023, pati deklaruar se himni shtetëror nuk e reflekton realitetin multietnik të shtetit dhe shoqërisë në Maqedoninë e Veriut. 

“Përderisa është ky realitet, atëherë ne kërkojmë që duhet të ndërrohet himni i shtetit dhe të respektojë diversitetin kulturor dhe etnik”, pati deklaruar Kasami.

Më pas, pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së, në vitin 2024 me anë të ligjit u propozua që himni shtetëror që të intonohet në shkolla. Projektligji për Arsimin e mesëm kaloi në lexim të parë, por në seancën e komisionit për fazën e dytë u tërhoq nga Kuvendi. Opozita, përmes Frontit Evropian si dhe koalicioni qeverisës VLEN shpallën bllokimin e tij. Ministrja Janevska e pranoi tërheqjen si një ballafaqim me realitetin politik dhe tha se do të përmirësohet ligji, ndonëse kryeministri Mickoski vazhdon ta mbrojë nismën si standard qytetar. Aktualisht, ky ligj ende ndodhet në sirtarët e Kuvendit por nuk dihet nëse neni 54 që parashihte intonimin e himnit është hequr.

Stema shtetërore e Maqedonisë së Veriut

Stema shtetërore mbeti e pandryshuar pavarësisht paralajmërimeve të VLEN-it

Kujtojmë dhe premtimet e VLEN-it për stemën.VLEN-i premtoi barazi në përdorimin e simboleve kombëtare dhe, pas ardhjes në pushtet, drejtuesit e tij u shprehën për ndryshimin e stemës shtetërore. Megjithatë, më shumë se dy vjet pas hyrjes në Qeveri, stema e Maqedonisë së Veriut mbetet e pandryshuar.

Në programin për zgjedhjet e 8 majit 2024, VLEN-i parashihte të drejta të barabarta për përdorimin e himnit, stemës dhe flamurit kombëtar shqiptar në shkolla e institucione. Ky premtim mbetet i parealizuar dhe gjendja nuk ka ndryshuar nga periudha para ardhjes së VLEN-it në pushtet.

Bisedime pa marrëveshje

Çështja e stemës u riaktualizua në shkurt 2025, kur kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se kishte biseduar me VLEN-in. Më 13 shkurt, Bilall Kasami mbështeti ndryshimin e simboleve të trashëguara nga sistemi i kaluar, duke kërkuar një proces publik dhe transparent.

Por, më 14 shkurt 2025, Izet Mexhiti, atëherë zëvendëskryeministër i parë, pranoi se diskutimet nuk kishin prodhuar marrëveshje.

“Nuk kemi marrëveshje, por po diskutojmë për të gjitha çështjet e hapura”, deklaroi Mexhiti. Ai e lidhi debatin edhe me heqjen e përcaktimit “20 përqind” për gjuhën shqipe.

Po atë ditë, Arben Taravari, atëherë pjesë e VLEN-it dhe ministër i Shëndetësisë, propozoi që stema, himni dhe çështjet e tjera etnike të zgjidheshin në një pako. Megjithatë, i pyetur se çfarë duhej të përmbante stema e re, tha se VLEN-i ende nuk e kishte diskutuar këtë.

Mospajtimet u shfaqën edhe brenda shumicës qeverisëse. Më 25 shkurt 2025, Portalb.mk raportoi se Maksim Dimitrievski i ZNAM-it kundërshtonte ndryshimin e stemës, ndërsa Zeqirija Ibrahimi kërkonte që debati të përfshinte edhe ndryshimet kushtetuese për integrimin evropian dhe barazinë gjuhësore.

Edhe propozimi për ndryshim i vitit 2014 i Qeverisë së VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, për një luan të kuq mbi sfond të artë, nuk siguroi shumicën e nevojshme parlamentare.

Simbolet shtetërore janë kategori kushtetuese, të cilat mbrohen me nenin 5 të Kushtetutës. Ndryshimi i Ligjit për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit bëhen me dy të tretat e votave në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Bilall KasamiHimniKomuna e GazibabësPortalb Fakt - Premtime parazgjedhoreStema shtetëroreVLEN koalicioni