Ministri për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Pançe Toshkovski, sot ka paralajmëruar që do të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për një pikë të përbashkët kufitare, transmeton Portalb.mk.
“Në pjesën e bashkëpunimit ndërkombëtar, sot do të nënshkruhet marrëveshja me Republikën e Shqipërisë për zbatimin e kalimit të përbashkët kufitarë dhe zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta për kontrolle kufitare”, deklaroi Toshkovski.
Ai përkujtoi se me këtë, Maqedonia e Veriut do të ketë pika të përbashkëta kufitare me të gjitha shtetet e rajonit që nuk janë pjesë e Zonës Shengen.
Në raportimin për punë e tij dyvjeçare, Toshkovski përkujtoi se si rezultat i “Safe City”, për pesë muaj janë ulur për 40 përqind vdekjet në komunikacion.
“Në 20 vitet e fundit e kemi nivelin më të ulët të kriminaliteti dhe do të vazhdojmë me reformat në MPB”, deklaroi Toshkovski, duke përkujtuar se janë konfiskuar edhe 550 armë nga tregu jolegal dhe 6.2 ton lloje të ndryshme të narkotikëve.
Ministri Toshkovski përkujtoi që nga 1 shtatori do të kthehet pas shumë viteve Shkolla e Mesme Policore.
Pas Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, edhe Qeveria e Shqipërisë më 19 qershor e miratoi vënien në funksion të sistemit të përbashkët për kontrolle kufitare “One Stop Shop” me Maqedoninë e Veriut.
Kujtojmë se nga inaugurimi i gushtit të vitit 2023 nga vizita Rama–Kovaçevski, Qafë Thana ka funksionuar tashmë me një ndalesë të vetme, por jo me një kontroll të vetëm pra ka pasur dy oficerë të policisë kufitare, një shqiptar dhe një maqedonas të vendosur në të njëjtën kabinë, secili duke kryer kontrollin e tij mbi bazën e juridiksionit përkatës. Kjo në fakt është aplikimi i “One Stop – Two Shop”, kur udhëtari ndalon një herë, por procedohet dy herë nën të njëjtën çati. Ky ishte një lehtësim logjistik por jo unifikim procedural.
Gjatë vitit 2025, në këto pika kufitare janë regjistruar gjithsej 4.581.724 udhëtarë, prej të cilëve 2.318.080 vetëm në pikën kufitare Qafë Thanë.
“Sistemi “One Stop” në prill 2025 u zbatua me Kosovën në kalimin kufitar Bllacë – Hani i Elezit, pastaj edhe me Republikën e Serbisë.
- LEXO: Shqipëria e miratoi vënien në funksion të sistemit “One Stop Shop” me Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Hyri në fuqi koncepti i ri “one-stop-shop” në kufirin mes Shqipërisë dhe RMV-së, do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave
- LEXO: Qeveria e Maqedonisë miratoi vënien në funksion të sistemit “One Stop Shop” me Republikën e Shqipërisë