Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se negociatat e ardhshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet të përqendrohen te garancitë e sigurisë për të dyja vendet, si dhe te krijimi i një kuadri të përgjithshëm sigurie për të gjithë Evropën, transmeton Euro News Albania.
Në një intervistë për televizionin shtetëror rus të enjten, një ditë pas takimit me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan, Steve Witkoff, Putin konfirmoi se Moska është e gatshme të rifillojë muajin e ardhshëm bisedimet me Ukrainën, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.
Sipas tij, objektivi i negociatave duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje përfundimtare që garanton sigurinë e të dyja vendeve, dhe jo thjesht një armëpushim i përkohshëm.
“Qëllimi i këtyre bisedimeve do të jetë garantimi i sigurisë së Ukrainës dhe Rusisë pas arritjes së marrëveshjeve të paqes, në formën e tyre përfundimtare, dhe jo si rezultat i një armëpushimi të përkohshëm për një periudhë të shkurtër. Ne jemi të gatshëm t’i rifillojmë këto kontakte për të arritur këtë qëllim”, deklaroi Putin.
Kreu i Kremlinit tha gjithashtu se Witkoff kishte theksuar nevojën që diskutimet të shtrihen edhe te arkitektura e sigurisë evropiane në tërësi, një qasje me të cilën, sipas tij, Moska është dakord.
“Le të shohim se si do të zhvillohen gjërat në ditët në vijim”, u shpreh presidenti rus.
Putin përsëriti qëndrimin e Kremlinit se Rusia nuk ka dashur të nisë një luftë, duke pretenduar se Moska është përballur me reagime armiqësore nga Ukraina për çështje që i konsideron thelbësore për interesat e saj.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili u takua me Witkoffin në Norvegji të martën, deklaroi se Kievi është i gatshëm për negociata, të cilat pritet të zhvillohen në fillim të muajit të ardhshëm.
Zelensky tha se Ukraina mbështet çdo propozim për armëpushim, për përfundimin e luftës, për ndërprerjen e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, si dhe për nisma humanitare.
Përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për rifillimin e negociatave ishin bllokuar në shkurt, pas shpërthimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Çështja territoriale mbetet pengesa kryesore
Një nga çështjet më të vështira në negociatat e mundshme mbetet e ardhmja e territoreve ukrainase. Rusia kërkon që Ukraina të dorëzojë të gjithë rajonin e Donbasit, në lindje të vendit, ndërsa Kievi kundërshton çdo propozim për të hequr dorë nga territoret që ende kontrollon.
Gjatë intervistës, Putin këmbënguli se çdo diskutim për territoret në lindje të Ukrainës duhet të marrë parasysh atë që ai e cilësoi si përkatësinë historike të zonës ndaj Rusisë.
“Qëndrimi im për këtë çështje është se ky nuk është territori i tyre. Është territori i Rusisë historike”, deklaroi Putin.
Ai iu referua gjithashtu referendumeve të organizuara nga Moska në territoret e pushtuara, shtatë muaj pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, duke pretenduar se banorët kishin votuar për t’iu bashkuar Rusisë.
Këto votime janë kundërshtuar nga Ukraina dhe nuk njihen ndërkombëtarisht si bazë legjitime për aneksimin e territoreve ukrainase.