Sofja iu përgjigj Mucunskit për përfshirjen e BE-së në bisedime: Përmbushni fillimisht detyrimet e marra

Sofja zyrtare iu përgjigj ministrit të Maqedonisë Timço Mucunski, duke thënë se Maqedonia e Veriut duhet t’i përmbushë detyrimet e saj dhe të nisë ndryshimet e nevojshme për të vazhduar rrugën e saj evropiane. Përgjigjja erdhi nga Ministria së Punëve të Jashtme të Bullgarisë lidhur me deklaratën e fundit të shefit të diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, i cili tha se është me rëndësi të madhe përfshirja e Bashkimit Evropian në të gjitha bisedimet e mëtejshme me Sofjen zyrtare, transmeton Portalb.mk.

“Procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE është çështje evropiane, e cila duhet të zgjidhet në kuadër të institucioneve evropiane dhe në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara. Bullgaria e mbështet punën e Komisionit Evropian me secilin prej vendeve që negociojnë për anëtarësim, duke vlerësuar rezultatet e arritura në kuadër të Këshillit Evropian. Presim që Maqedonia e Veriut t’i përmbushë detyrimet e saj dhe të nisë ndryshimet e nevojshme për të vazhduar përpara në rrugën e saj evropiane”, thonë nga MPJ-ja e Bullgarisë.

Nga atje shtojnë se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë pjesë thelbësore e procesit të anëtarësimit në BE, kusht i domosdoshëm për përparimin drejt anëtarësimit në Union, por edhe parakusht themelor për ndërtimin e besimit.

“Bullgaria ka qenë gjithmonë dhe mbetet e hapur për dialog konstruktiv me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, shtojnë nga ministria bullgare.

Reagimi i MPJ-së së Bullgarisë vjen pasi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, në një intervistë për MIA-n tha se vendi nuk është i gatshëm, me çdo kusht, të pranojë një kompromis që nuk i siguron shtetit parashikueshmëri dhe, për këtë arsye, siç tha ai, është me rëndësi të madhe që në të gjitha bisedimet e mëtejshme me Sofjen të përfshihet edhe Bashkimi Evropian.

Kërkesë të ngjashme ka shprehur edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijna Mickoski.

Mickoski tha se Maqedonia është e gatshme të diskutojë për harmonizimin e një plani veprimi për pakicat, por këmbëngul që bisedimet të zhvillohen në prani të komunitetit ndërkombëtar. Sipas tij, nëse Shkupi dhe Sofja diskutojnë vetëm mes tyre, kjo do ta konfirmonte më tej qëndrimin maqedonas se kontesti është dypalësh.

“Është e nevojshme të kemi edhe një tjetër në tryezë. Ja, le të jetë ky ndoshta një përfaqësues nga Bashkimi Evropian”, tha kryeministri.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Ambasada e Bullgarisë në RMVBullgariaMarrëveshja me BullgarinëNdryshime Kushtetuese RMVTimço Mucunski