Skupi, për shtatë vjet nga megaprojekt në një megadeponi

Lokaliteti mbase u shpëtua nga rikonstruimi joadekuat, por jo edhe nga harresa

I fshehur mes barit të rritur, jo më larg se pesë kilometra nga qendra e Shkupit, gjendet Skupi, lokaliteti më i madh antik në Maqedoni. Transporti i vetëm për të shkuar atje është autobusi numër 21, i cili zakonisht vjen çdo një orë. Shumë shoferë taksish as që e dinë se ku ndodhet, ndërsa kompanitë e taksive thonë se nuk kanë automjet në dispozicion, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Duke e çarë rrugën nëpër vegjetacionin e dendur dhe gurët e vjetër, me gjarpërinjtë si “udhërrëfyesit” e vetëm rreth nesh, gjejmë një artefakt interesant që nuk është nga kohërat antike – një dërrasë metalike të vjetër rreth dhjetë vjet me të dhëna për projektin për rikonstruimin e amfiteatrit. Këtu ka kohë që nuk ka pasur punëtorë ndërtimi apo aktivitete përreth, ndërsa dëshmitarë të vetëm se në këtë vend dikur është punuar diçka është llaçi i tharë tek shkallët.

Një qeveri në vitin 2016 e filloi projektin me vlerë mbi shtatë milionë euro, duke e njoftuar kështu ringjalljen e Skupit. Qeveria tjetër e ndaloi atë në vitin 2018, sepse vlerësoi se nuk ishte autentik. Vendi mund të ketë shpëtuar nga rikonstruimi adekuat, por jo edhe nga harresa.

Sot, shtatë vjet pas vendimit për ndërprerjen e punimeve ndërtimore, ai duket si një vend i pazbuluar i rrethuar nga mbeturinat. Për atë përgjegjës është një institucion që nuk ka as para dhe as kapacitet për ta zhvilluar atë, ndërsa institucionet që mund ta financojnë rregullimin presin që ai tu propozojë projekte.

Kabllo, televizorë të vjetër dhe një mbishkrim i shtrembëruar

Qyteti Skupi ka qenë dy herë më i madh se Stobi, pesë herë më i madh se Heraklea pranë Manastirit dhe nëntë herë më i madh se Bargalla në afërsi të Shtipit, shkroi dikur profesori Ivan Mikulçiq, një nga studiuesit më të rëndësishëm të qyteteve antike në Maqedoni.

Pavarësisht madhësisë dhe vendndodhjes së tij në kryeqytet ai është shumë më pak i vizituar se lokacionet e tjera. Pothuajse mungon në programet turistike, ndërsa kryesisht e gjejnë historianë ose arkeologë kuriozë.

Vasko Markovski, një ciceron turistik me përvojë që rregullisht udhëheq grupe të huaja nëpër vendet e ndryshme të kryeqytetit, thotë se për këtë vend ka shumë pak interes dhe se nuk ka kushte për t’i çuar vizitorët atje.

“Statusi i Skupit është praktikisht një lokalitet arkeologjik i paeksploruar, i cili nuk është i gatshëm për vizita turistike, pa infrastrukturë elementare për shërbime, siç janë shtigjet, tabelat informative, tabelat rrugore, tualetet, dyqanet për suvenire dhe prezantues të punësuar. Ndonjëherë, megjithëse rrallë, njerëzit më pyesin ose më thonë se kanë qenë vetë atje”, thotë Markovski.

Për më shumë se 500 vjet ky vend ka qenë një qendër e rëndësishme ekonomike, kulturore, fetare dhe administrative e qytetit. Të dhënat historike tregojnë se në shekullin e parë para erës tonë Skupi është pushtuar nga legjionet romake dhe është shndërruar në një kamp ushtarak, ndërsa më pas është rritur në vendbanimin e parë të organizuar urban në luginën e Shkupit, që shtrihej në një sipërfaqe prej 44 hektarësh. Jeta në të u shua pas tërmetit në vitin 518 të erës së re, kur banorët u zhvendosën në rajonin ku sot ndodhet Kalaja e Shkupit.

Për të arritur tek historia e harruar e Skupit së pari duhet të gërmohet nëpër lokalitete që nuk janë arkeologjike. Vendi është i rrethuar nga grumbuj kabllosh, televizorë të vjetër dhe valixhe të vjetra, të shpërndara kryesisht në pronat private përreth tij. Një mbishkrim i shtrembëruar “Lokaliteti arkeologjik Skupi” tek hyrja kryesore tregon se kemi mbërritur në një vend të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore. Brenda, pamja nuk është më ndryshe. Pranë amfiteatrit na pritën goma makinash, shishe plastike të shpërndara, kasolle druri dhe mbetje të materialeve ndërtimore.

Rikonstruim i ndërprerë, nuk ishte në pajtimin me mbrojtjen

Si arriti Skupi deri në këtë gjendje? Ish-qeveria e VMRO-DPMNE-së, përderisa ishte në kulmin e riformësimit të qendrës së kryeqytetit me projektin “Shkupi 2014”, vendosi ta zgjeronte ofensivën e saj të ndërtimit edhe në periferi. Në shkurt të vitit 2016 Nikolla Gruevski, si kryetar i partisë në pushtet, njoftoi rikonstruimin e amfiteatrit në Skupi me nëntë mijë vende, si pjesë e një pakete masash për të rinjtë, të cilat përfshinin edhe ndërtimin e skejtparqeve, punësimin e studentëve më të mirë, etj.

Po atë vit kompleksi monumental i qytetit antik të Skupit u shpall si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë me një nënkategori me rëndësi të madhe, me çka u ndaluan shtojcat, mbindërtimet dhe rikonstruimet.

Por, në maj të vitit 2016 Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore zhvilloi një tender dhe nënshkroi një kontratë me kompaninë Ak Invest” nga Tetova ” për konservimin, restaurimin dhe rikonstruimin e amfiteatrit me vlerë 7,1 milionë euro, tregojnë të dhënat nga Byroja e Prokurimeve Publike.

Projekti filloi me konservimin e objektit skenik dhe mureve rrethore të auditorit. Por, një vit më vonë ndryshoi qeveria dhe ministri i sapoemëruar i kulturës, Robert Allagjozovski, e ndërpreu kontratën dhe e ndaloi rikonstruimin.

Në një bisedë telefonike Allagjozovski shpjegoi se nuk ishin diskutabile hulumtimet arkeologjike dhe konservimi i skenës, por rikonstruimi i plotë i auditorit, i cili u vlerësua si joautentik.

“Prandaj, ne, si Ministri, miratuam fonde për ta përfunduar konservimin. Dhe u përfundua. Nuk lejuam që të vazhdonin fazat e ardhshme”, tha Allagjozovski.

Raporti i revizionit i vitit 2021 nxori në pah se ishte zbatuar vetëm 7,56 përqind e kontratës. Kompanisë iu paguan 36 milionë denarë (rreth 600 mijë euro) për punën e kryer. Ajo e paditi Ministrinë e Kulturës dhe Drejtorinë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore për ndërprerjen e kontratës. Lënda arriti deri në Gjykatën Supreme, por humbi në të gjitha nivelet.

Nga miliona në mijëra euro

Projekti problematik u ndërpre, por që nga ai moment e deri më sot nuk ka dalë asnjë ide e re për atë se si të rregullohet dhe ringjallet ky lokalitet. Shumat që ndahen për Skupin kanë rënë nga miliona në mijëra euro në vit.

Kërkuam nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit përgjigje nëse ka ndonjë plan të ri për Skupin, duke pasur parasysh situatën e pafavorshme në të cilën ndodhet lokaliteti. Nga atje na u përgjigjën se ata nuk e menaxhojnë atë dhe na udhëzuan që të drejtohemi tek Muzeu i Qytetit të Shkupit. Si Ministri ata e kanë mbështetur Skupin vetëm përmes konkurseve që shpallin për projekte me interes kombëtar në kulturë.

“Çdo vit Ministria e Kulturës dhe Turizmit me programet e saj për aktivitetin muzeal dhe trashëgiminë kulturore të patundshme merr pjesë në mbështetjen financiare për projektet e Muzeut të Qytetit të Shkupit, të cilat kanë të bëjnë me lokalitetin arkeologjik Skupi. E njëjta gjë do të bëhet edhe në vitin 2025”, u përgjigjën nga Ministria.

Të dhënat e disponueshme në programet vjetore të Ministrisë, të disponueshme në internet, treguan se kjo mbështetje mezi arrin pesë mijë euro në vit. Në vitin 2022, për shembull, Muzeu ka marrë 90 mijë denarë (1.500 euro) për mirëmbajtje, këtë vit duhet të marrë rreth 200 mijë denarë (3.300 euro) për mirëmbajtje dhe 96 mijë denarë (1.600 euro) për konservimin e materialit numizmatik.

Biseduam me Igor Kuzmanovskin nga Muzeu i Qytetit të Shkupit, i cili është udhëheqës i lokalitetit arkeologjik Skupi. Ai tha se problemi kryesor me të cilin përballen është buxheti i vogël, që nuk mjafton as për mbijetesë.

“Përveç se për një roje dhe për faturat e energjisë elektrike, nuk ka fonde të mjaftueshme që mund të ndahen për rregullimin e shtigjeve dhe instalimin e tabelave informative për turistët. Fondet shtesë nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit sigurohen vetëm përmes aplikimit dhe fitimit të projekteve, por edhe ato janë të kufizuara në një shumë deri në 200 mijë denarë për projekt”, tha Kuzmanovski.

Edhe për të përgatitur aplikime për projekte nevojitet një ekip, ndërsa Kuzmanovski nuk e ka një të tillë. Deri vonë në departamentin e tij punonin edhe tre arkeologë të tjerë, të cilët kanë dalë në pension dhe që atëkohë ai ka mbetur vetëm. Kuzmanovski shpjegon puna nuk mund të arrihet vetëm me një person të punësuar, prandaj shumë procese arkeologjike janë ngadalësuar.

Vend i mbuluar mes vendbanimeve luksoze

Komuna e Karposhit, në territorin e së cilës ndodhet lokaliteti Skupi, thotë se ka pak kompetenca mbi vendin arkeologjik. Në pyetjen se pse deponitë përreth qytetit antik nuk po pastrohen, ata u përgjigjën se kjo duhet të bëhet nga ndërmarrjet komunale të Qytetit të Shkupit.

Lokalitetet në kryeqytet të mbuluara me deponi të egra vitet e fundit lehtë shndërroheshin në parcela ndërtimi tërheqëse, pasi biznesi i pasurive të patundshme po bëhet gjithnjë e më fitimprurës dhe çmimi i një metri katror banimi është rritur për disa herë.

Në afërsi të Skupit, 50 deri në 100 metra nga amfiteatri, ka shtatë parcela në pronësi private. Një kontroll i të dhënave kadastrale për secilën prej këtyre pronave tregoi se për momentin ato janë në duart e individëve privatë që janë të panjohur dhe nuk janë të lidhur me biznesin e ndërtimit. Por, Skupi ndodhet midis Bardovcit dhe Zllokuqanit, dy vendbanime që më parë njiheshin për bujqësi, por për dy dekada, asociimi kryesor për ta janë bërë banesat luksoze që po ndërtohen atje.

Për atë nëse industria e ndërtimit po i afrohet Skupit nga Komuna e Karposhit u përgjigjën se deri më tani nuk është hartuar asnjë plan urbanistik i detajuar për atë zonë, pra nuk janë planifikuar ndërtesa të reja.

Përvojat e mëparshme kanë treguar se kur ka interes financiar institucionet mund të jenë shumë të shpejta në miratimin e dokumenteve, planeve dhe rregullave. Ky parim është shumë më i vështirë për t’u zbatuar kur bëhet fjalë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, siç tregon shembulli me Skupin, përgjegjësia për rrënimin e të cilit përcillet nga një institucion në tjetrin.

Arkeologji - Arkeolog(e)Komuna e KarposhitKulturë lajmeMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)Nikolla GruevskiShkupiSkupiVMRO-DPMNE