Shqiptarët e parë nga studiuesit gjermanë

Ky shkrim sjell të dhëna interesante të studiuesve gjermanë për origjinën, autoktoninë, lashtësinë e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, nga një kohë kur në botën akademike mungonin studiuesit shqiptarë dhe kur studimet akoma nuk përdornin linguistikë kompjuterike dhe teknika moderne të kohës sonë.

Libri“Autoktonia e shqiptarëve në studimet gjermane”, i botuar më 1990 në Tiranë, hedh dritë mbi të shkuarën tonë nga dhjetë studiues të tre shekujve të fundit.
Kështu, filozofi dhe albanologu Gotfrid Vilhelm Lajbnici (1646-1716), i njohur me “Tri letrat shqiptare”, pasi fillimisht dyshoi se shqiptarët dhe gjuha e tyre kanë ndonjëfarë lidhje me ilirët dhe ilirishten, shtoi kërkimet dhe leximet e literatutës shtesë dhe erdhi në përfundimin se:”Ne jemi pasardhës të ilirëve, kurse shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë”.

Për filozofin Johan Gotfrid fon Herderin (1744-1803) shqiptarët kanë dalë nga ilirët dhe janë popull autokton. Sipas tij: “Nga ilirët dhe trakët e lashtë kanë dalë shqiptarët dhe vllehët”.

Sado që Herderi nuk e mbështet konstatimin e tij me ndonjë argument të fortë, thënia e tij konsiderohet me rëndësi historike.
Për historianin e parë serioz që është preokupuar me prejardhjen tonë – Johan Erih Tunmanin (1746-1778), nuk kishte dyshim se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve. Konstatimi i tij pasoi pas studimeve të thelluara të të dhënave të autorëve të lashtësisë greko-romake dhe të burimeve mesjetare. Tunmani thotë se: “Gjuha shqipe ka dhënë dëshmi të atilla, sa unë e kam të pamundur të mos njoh te shqiptarët fqinjët e lashtë të grëkëve dhe qytetarët e Romës së lashtë. Për të dyja këto më tregojnë ilirët e lashtë, që janë po aq pak sllavë sa edhe finët”.
Në veprën “Rreth shqipes në lidhjet e saj të prejardhjes”, profesor Franc Bopi (1791-1867) shkroi se shqipja është gjuhë indoevropiane, pa ndonjë lidhje me gjuhët tjera të kësaj familjeje, si greqishtja e latinishtja.
Studiuesi Jozef Riter fon Ksilander (1794-1854), në veprën “Gjuha e albanezëve ose shqiptarëve”, e forcon konstatimin e Franc Bopit mbi shqipen si degë shumë të vjetër dhe të veçantë të indoevropianishtes. Ai nuk e përjashton ndikimin që kanë gjuhët fqinje mbi njëra-tjetrën, por nuk ka dyshim se: “Gjuha shqipe në vetvete është një gjuhë që në pjesën kryesore të fjalëve dhe në pjesën karakteristike të gramatikës gjen një bazë të saj të gjerë – të paktën mbetjen e gjuhës së një populli të lashtë”.
Albanologu i shquar Johan Georg fon Han (1811-1869), që pati rastin të vizitojë Shqipërinë, në disa vepra shkencore shpërfaqi pikëpamjet mbi botën shqiptare, prejardhjen tonë prej ilirëve dhe gjuhës shqipe nga ilirishtja. Ai hodhi idenë mbi prejardhjen e përbashkët tireno-pellazgjike të ilirëve, epirotëve dhe maqedonëve të lashtë, që përbënin një degë të rëndësishme, krahas grekëve dhe romakëve antikë… Lidhur me autoktoninë e shqiptarëve studiuesi i shquar tha: “Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm, qysh në kohën e romakëve dhe të helenëve gjendeshin në trojet e tyre të sotme dhe zakonet që i kishin të përbashkëta me popujt fqinjë, i kanë ruajtur deri në ditët tona shumë më të pastra e më besnike sesa popujt fqinj”.
Në veprën “Elementi shqiptar në Greqi”, bizantinisti Jakob Filip Falmerajeri (1790-1860) hodhi dritë mbi prejardhjen dhe autoktoninë e shqiptarëve, që vin nga antikiteti. Ja disa pikëpamje të tij:
– “Populli shqiptar që jeton në siujdhesën ilirike flet një gjuhë që s’ka fare ngjashmëri me greqishten, turqishten dhe sllavishten”.
– “Në bibliotekën e Akademisë së Aleksandrisë 
(sh. II të e.s.) përmendet ekzistenca e qytetit Albanopolis të një populli në brezin kufitar të Epirit dhe Ilirisë”.
-“Megjithatë, shqiptarët kanë hyrë në histori aktivisht si nënshtetas të Bizantit 
(sh. XI), për t’u dalluar më pas si të pavarur e ngadhnjyes në betejat me otomanët”.
– “Një pjesë e popullatës në Greqi janë shqiptarë, arnautë ose arvanitë, që ende sot flasin shqip”.
– “Shqiptarët përkrahin kudo paqen. Ata janë artizanë, lundërtarë, ndërtues dhe ushtarë të shkathtë, të patrembur, të matur e rezistentë”.
Edhe për historianin Teodor Mommsenin (1817-1903) nuk vihet fare në dyshim prejardhja ilire e shqiptarëve. Për të: “Popullsia fillestare ilire ka për pasardhës të fundit shqiptarët e sotëm”.
Mommseni flet për kufijtë e Ilirisë së lashtë, për luftërat dhe lidhjet e ilirëve me popujt fqinj.
Mbështetur në të dhënat gjuhësore, profesori i Universitetit të Marburgut Paul Kreçmerin (1866-1959) konstaton se: “Në trojet greke lulëzoi një kulturë mesdhetare qysh para ardhjes së grekëve”. Në studimin e tij për ilirët, gjithnjë sipas të dhënave gjuhësore, ai vërtetoi identitetin e ilirishtes dhe autoktoninë tonë në trojet ku jetojmë edhe aktualisht.

Historiani Hansjorg Frommeri (1939) është preokupuar gjithashtu me të shkuarën dhe të tashmen e shqiptarëve. Ai është autori i librit “Ilirët”, në të cilin flet për invazionin e egër sllav në Ballkan dhe pasojat e atij invazioni për popujt e lashtë të këtyre territoreve, veçmas për ilirët. Sipas tij, për shkak të dhunës së egër sllave, nga fundi i sh. VI dhe fillimi i sh. VII, sigurisht ka ndodhur një shpërngulje e madhe e ilirëve nga Dalmacia në Shqipërinë e sotme. Frommeri thoshte: “Shqiptarët janë ilirë, kurse gjuha e tyre buron nga ilirishtja”.

Studiuesi dhe specialisti i numizmatikës së lashtë Peter Robert Franke (1926) autoktoninë shqiptare dhe prejardhjen e tyre ilire e mbështet në monedhat, mbishkrimet, stelat e varreve, armët, shtatoret dhe eksponatet e tjera arkeologjike të gjetura prej kohësh në qytetet e lashta si Durrësi.
Natyrisht, të dhënat e mësipërme janë pasuruar nga studimet e reja të studiuesve shqiptarë dhe të huaj, por do të ishte mirë që shtëpitë serioze botuese të ribotojnë herë pas here veprat e rëndësishme si: “Autoktonia e shqiptarëve në studimet gjermane”, sepse për to kanë nevojë studentët dhe studiuesit e brezit të ri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit