MAJE DHE HONE

“O pushtet me vështrimin e Meduzës!” Kjo thirrje e Stefan Zweig-ut e thekson pasionin demoniak për pushtetin.

Pushteti të jep fuqi marramendëse për të vendosur mbi fatet e të tjerëve, por, paradoksalisht, të ngurtëson dhe ta cenon lirinë e qetësinë e brendshme. Ky pasion mund ta tjetërsojë edhe njeriun më të devotshëm.

“Liria arbitrare” për të vendosur për gjithçka, pa e respektuar lirinë e tjetrit, e cila, sipas Berdjajevit, ka pamje demoniake, të verbon përballë së vërtetës. Prandaj, sa e sa prijës, të ngujuar në oborret e tyre, janë mashtruar duke besuar se bota që e sundonin ishte si fushë me lule. Të paktë qenë ata që, edhe kur gjendeshin në Olimpin e pushtetit, i mbyllën sytë para vështrimit të Meduzës dhe botën e panë ashtu siç ishte në të vërtetë, e jo siç ua përshkruanin lakejtë.

Sepse atij që ka pushtet shpesh i thuhet ajo që dëshiron ta dëgjojë dhe jo e vërteta e hidhur, ashtu siç e përshkruan me mjeshtëri Hans Christian Anderseni te “Rrobat e reja të mbretit”, një kryevepër që e demaskon servilizmin dhe frikën e vartësve për ta thënë të vërtetën.

Prijësit e zgjuar kanë mbajtur pranë vetes eminenca gri, që guxonin t’ua thoshin të vërtetën, sado e hidhur që të ishte.

Leka i Madh kishte dy miq: njëri ia bënte qejfin dhe shpërblehej, kurse tjetri ia thoshte të vërtetën dhe shpërfillej. Kur e kuptoi gabimin e tij, strategu, që kishte pasur si mësues Aristotelin, tha se njëri mik e donte perandorin, kurse tjetri e donte Lekën.

Shumica e atyre që ngjiten në Olimpin e pushtetit, aty ku nis vetmia e fronit, fillojnë të besojnë se kanë të drejtë për gjithçka dhe se janë të përhershëm.

Percy B. Shelley, nëpërmjet poezisë “Ozimandiasi” (1818), na përcjell idenë se asnjë prijës s’mund ta fitojë betejën me kohën, sado i pushtetshëm të jetë.

“Unë jam Ozimandiasi, mbret i mbretërve: / Shikoni veprat e mia, o të pushtetshëm, dhe dëshpërohuni!”

Nga gjithçka që kishte, mbetën vetëm rrënoja vigane.

Që prijësi një ditë të mos lërë pas vetes vetëm kësi rrënojash, duhet të punojë me përkushtim dhe të kryejë vepra të mira. Por ndoshta ky është veç një mendim naiv. Një mendimi i atyre që nuk janë ngurtësuar nga shikimi i Meduzës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu