Paraja në xhep, jo në zemër

“Jetojmë nga ajo që fitojmë, por një jetë me kuptim ndërtojmë nga ajo që japim” – Winston Churchill.

Ishte verë e vitit 2023. Po ktheheshim nga Gjiri i Edremitit, në Turqi, kur u ndalëm në një dyqan me enë kuzhine dhe artikuj shtëpiakë. Sapo hymë, hodhëm sytë mbi gjërat që na interesonin dhe, papritur, një grua i tha një burri në moshë:

“Duket se janë nga vendlindja jonë, nga Rumelia.”

E tha me një natyrshmëri që nuk kërkonte as shpjegim, as lavdërim. Ne, pa një pa dy, ia kthyem:

“Po, jemi shqiptarë.”

“Aaa, nga memleqeti!”, tha ai dhe u ngrit menjëherë nga karrigia ku ishte ulur.

Zoti Reshat ishte një burrë i moshuar, por i mbajtur mirë. Fjalë pas fjale, biseda na çoi te prejardhja e tij. Doli se ishte nga rrethina e Shkupit dhe se ishte shpërngulur fillimisht në Bursa e më pas në Kuçukoj, ku jetonte tani. Familja e tij ishte prekur drejtpërdrejt nga dhuna politike e pasluftës: komunistët jugosllavë ia kishin vrarë xhaxhain pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Vitin e ardhshëm e vizituam sërish. Nuk ishte në arkë; u kthye pas pak. Ndërsa e prisnim, bashkëshortja e tij na tregoi se ishte i zënë me përgatitjen e mëngjesit-drekës së së premtes, të cilën e shtronte çdo javë për njerëzit.

Këtë vit mësuam se kjo traditë kishte më shumë se tridhjetë vjet. Kazanë të mëdhenj, ushqim nga çorba deri te ëmbëlsira. Për të varfër e për të pasur, pa dallim. Një traditë e përjavshme që ishte bërë rutinë dhe pjesë e jetës së tij.

Kur i thamë se nuk kishim kohë të qëndronim, na paketoi ushqime nga ato që kishte përgatitur. Pastaj hodhëm sytë përreth. Dyqani dhe zyra e tij ishin tepër modeste. Asgjë aty nuk të krijonte përshtypjen e një njeriu që kishte grumbulluar kapital.

Por sa pasuri mund të mbajë një zemër!

Ajo që bënte Reshati nuk dukej si një gjest i rastit, as si një veprim i bërë për fotografi, reklamë apo për t’u dukur. Ishte kthyer në pjesë të jetës së tij: një ritëm i përjavshëm i dhënies, i vazhduar për më shumë se gjysmën e jetës së tij.

Gjatë bisedës na dha edhe tri mësime të shkurtra:

“Paraja le të hyjë në xhep, por jo në zemër!”

“Mos dhuroni para. Mbështilleni një gjë dhe jepeni si dhuratë. Kjo është më e qëndrueshme!”

“Pesë lira për vete, pesë për popullin!”

Ndoshta nuk ka shumë fjali që mund ta përmbledhin kaq thjesht një filozofi të tërë të jetës. Paraja mund të fitohet, të përdoret dhe të investohet. Por nuk duhet të na robërojë. Sepse në çastin kur paraja kalon nga xhepi në zemër, ajo pushon së qeni vetëm mjet dhe fillon të bëhet qëllim.

Edhe fjalia “Dhurata jepni, jo para” përmban një urtësi të veçantë. Në një kohë kur pothuajse gjithçka matet me para e me çmim, dhurata e rikthen marrëdhënien njerëzore te një logjikë tjetër: te dhënia pa e llogaritur menjëherë kthimin.

Paraja mund të zgjidhë një nevojë. Por ushqimi i dhënë me dorë, një supë e ngrohtë në një ditë të ftohtë apo një ëmbëlsirë pas saj krijojnë edhe një marrëdhënie njerëzore. Në këtë kuptim, bujaria nuk është thjesht shpërndarje e pasurisë; është një mënyrë për ta kuptuar vetë pasurinë.

Dhe këtu vjen edhe formula e tij tjetër: “Pesë lira në xhep, pesë për popullin.”

Nuk ka rëndësi nëse pesë lekët janë shumë apo pak. Rëndësi ka parimi: një pjesë për vete dhe një pjesë për të tjerët; një pjesë për nevojat personale dhe një pjesë për shoqërinë. Është një mënyrë e thjeshtë për të thënë se ajo që fitojmë nuk është domosdoshmërisht vetëm për ne.

Në traditën shqiptare, por edhe në traditat fetare e qytetare të shoqërive tona, pasuria nuk ka qenë vetëm çështje individuale. Ajo ka qenë e lidhur edhe me bujarinë, mikpritjen, solidaritetin dhe përgjegjësinë ndaj tjetrit. Njeriu mund të jetë i pasur jo vetëm nga ajo që ka grumbulluar, por edhe nga ajo që ka ditur të japë.

Prandaj, “Paraja le të hyjë në xhep, por jo në zemër” është më shumë se një këshillë morale. Është një vijë ndarëse ndërmjet dy mënyrave të të jetuarit. Në njërën, paraja është mjet; në tjetrën, bëhet masë e vlerës së njeriut. Në njërën, pasuria të shërben; në tjetrën, ti fillon t’i shërbesh pasurisë.

Ndoshta këtu qëndron edhe paradoksi i bukur i këtij tregimi: një njeri që merret me tregti, pra me një veprimtari ku paraja është pjesë e përditshmërisë, ka zgjedhur të mos e lejojë atë të bëhet pjesë e identitetit të tij. Ai fiton, por edhe jep. Ka një dyqan, por ka hapur edhe një derë për të tjerët.

Shqiptari nga rrethina e Shkupit, në Kuçukoj, me dyqanin e tij të vogël dhe sofrën e së premtes ushqimet e së cilës i gauante me duart e veta, ndoshta nuk ka ndërtuar ndonjë teori mbi solidaritetin. Nuk ka shkruar traktat mbi etikën e pasurisë. Por, për më shumë se tridhjetë vjet, ka praktikuar një ide të thjeshtë: ajo që ke nuk është vetëm për ty.

Dhe ndoshta këtu qëndron pyetja që ky njeri na lë pa e formuluar vetë: Sa nga ajo që kemi zgjedhim ta mbajmë vetëm për vete dhe sa dimë ta kthejmë në të mirë për të tjerët?

Sa të kemi njerëz që W. Hallaq i quan mirëbërës (good-doers) kemi shpresa edhe për një shoqëri dhe njerëzim më të mirë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit