Në mesin e 14 fituesve të sivjetshëm të mirënjohjes “Unaza e Inxhinierit” është edhe Arbana Kasami, e vetmja shqiptare e përzgjedhur këtë vit. Për atë, ky vlerësim është njohje e punës dhe përkushtimit ndër vite, por edhe një shtysë për të vazhduar të zhvillohet në fushën e arkitekturës dhe projektimit. Rrugëtimi i saj hap edhe pyetje që i shqetësojnë shumë të rinj pas diplomimit: sa i përgatit universiteti për punën terren, çfarë mundësish kanë për të avancuar në Maqedoninë e Veriut dhe pse një pjesë e tyre zgjedhin të largohen? Në një bisedë për Portalb.mk, Kasami foli për këto sfida, për vendin e vajzave shqiptare në fushat teknike dhe për mënyrën se si teknologjia po e ndryshon profesionin. Ajo thekson se, krahas kushteve të mira të punës, të rinjtë kanë nevojë ta përjetojnë se dija dhe merita e tyre vlerësohen.
Portalb.mk: Çfarë kriteresh dhe arritjesh qëndrojnë pas përzgjedhjes suaj për mirënjohjen “Unaza e Inxhinierit” dhe çfarë rëndësie ka kjo për ju profesionalisht?
Arbana Kasami: E shoh këtë mirënjohje si një vlerësim të përkushtimit dhe punës sime ndër vite. Për mua ka njërëndësi të veçantë, sepse përfaqëson jo vetëm një vlerësim profesional, por edhe një motivim për të vazhduar të zhvillohem dhe të kontribuoj me përgjegjësi në profesion.
Portalb.mk: Në cilën fushë të inxhinierisë jeni fokusuar dhe sa mundësi ofron sot Maqedonia e Veriut për zhvillim dhe avancim në këtë sektor?
Arbana Kasami: Jam e fokusuar kryesisht në fushën e arkitekturës dhe projektimit. Mendoj se Maqedonia e Veriut ofron mundësi për zhvillim, veçanërisht për profesionistët që janë të gatshëm të përshtaten me teknologjitë e reja dhe standardet bashkëkohore të projektimit.
Portalb.mk: Sa është i lidhur sistemi universitar me nevojat reale të tregut të punës dhe cilat janë sfidat kryesore që i presin inxhinierët e rinj pas diplomimit?
Arbana Kasami: Mendoj se universiteti ofron një bazë të mirë teorike, por lidhja me praktikën dhe nevojat reale të tregut mund të jetë diçka pak më sfiduese. Për inxhinierët e rinj sfidë është kalimi nga njohuritë akademike në përgjegjësitë dhe kërkesat e projekteve reale.
Portalb.mk: Jeni e vetmja shqiptare në mesin e 14 fituesve të sivjetshëm. Si e shihni përfaqësimin e të rinjve shqiptarë, veçanërisht të vajzave, në fushat teknike dhe inxhinierike?
Arbana Kasami: E shoh këtë si një mundësi për të dhënë një shembull pozitiv. Besoj se të rinjtë shqiptarë, dhe veçanërisht vajzat, kanë shumë potencial në fushat teknike dhe inxhinierike. Me më shumë mbështetje, mundësi dhe inkurajim, besoj se përfaqësimi i tyre do të jetë gjithnjë e më i madh në vijim.
Portalb.mk: Në një kohë kur teknologjia dhe inteligjenca artificiale po zhvillohen me ritëm të shpejtë, si po ndryshon profesioni i inxhinierit dhe cilat aftësi do të jenë më të kërkuara në të ardhmen?
Arbana Kasami: Teknologjia dhe inteligjenca artificiale po e ndryshojnë mënyrën se si punojmë, por po na ndihmojnë në ide dhe analizë. Besoj se në të ardhmen do të jenë gjithnjë e më të rëndësishme aftësitë digjitale, por gjithmonë duhet të ekzistojë edhe aftësia për t’i kombinuar këto teknologji me njohuritë e inxhinierëve.
Portalb.mk: Sa problem serioz është largimi i kuadrit të ri profesional nga vendi dhe çfarë duhet të ndryshojë që inxhinierët e rinj ta shohin të ardhmen dhe karrierën e tyre këtu?
Arbana Kasami: Largimi i kuadrit të ri profesional padyshim qëndron si problem serioz, sepse vendi humb njerëz me potencial dhe njohuri. Për të krijuar më shumë arsye që inxhinierët e rinj të qëndrojnë, mendoj se nevojiten më shumë mundësi për zhvillim profesional, kushte të mira pune dhe mbi të gjitha, vlerësim i meritës. Të rinjtë duan të shohin se puna dhe profesionalizmi i tyre vlerësohen.