“Shqiptar i Vdekur”: Mesazh urrejtjeje para syve të Gjykatës Kushtetuese në Shkup

Një mbishkrim me gjuhë të urrejtjes në bazë etnike në të cilin shkruhet “Mrtov Shiptar” (Shqiptar i Vdekur) qëndron në murin e ndërtesës përballë Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut në Shkup, në këtë objekt ku ka disa zyra ndodhet edhe zyra “Një Pikë Për Shërbime” e Ministrisë për Transformim Digjital, shkruan Portalb.mk.

Nga Kabineti i Ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovskit për Portalb.mk thanë se Ministria e Transformimit Digjital posedon hapësira në pjesën e brendshme të objektit dhe në këtë drejtim nuk është kompetente për pjesët e jashtme të objektit.

“Pjesë e këtij objekti janë edhe institucione tjera të cilat kanë hapësira dhe janë kompetente….Shprehim keqardhjen tonë për sjellje të tilla vandaliste të disa bashkëqytetarëve tanë”, thanë nga Ministria për Transformim Digjital.

Grafiti me gjuhë të urrejtjes në ndërtesën përballë Gjykatës Kushtetuese në Shkup. Foto: Portalb.mk

Për këtë mbishkrim nga Gjykata Kushtetuese për Portalb.mk theksuan se do të njoftojnë organet kompetente për veprime të mëtejshme.

“Faleminderit që na tërhoqët vëmendjen. Objekti që ju theksoni nuk është në pronësi të Gjykatës Kushtetuese, por duke pasur parasysh përmbajtjen e cila përmban elemente të gjuhës së urrejtjes, Gjykata do të njoftojë organet kompetente për veprime të mëtejshme”, thanë nga Gjykata Kushtetuese.

Grafiti me gjuhë të urrejtjes në ndërtesën përballë Gjykatës Kushtetuese në Shkup. Foto: Portalb.mk

Portalb.mk këtë rast e ka paraqitur në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ndërsa nga ky institucion deri në publikimin e këtij shkrimi nuk morëm përgjigje nëse do ndërmarrin masa dhe nëse deri te ata a janë raportuar raste të tilla në dy vitet e fundit.

Përndryshe në Shkup ka shumë grafite të cilët përmbajnë gjuhë të urrejtjes, diskriminim, jotolerancë dhe mbishkrime të tjera me prapavija të dëmshme. Mbishkrimet e tilla janë kërcënuese për paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën e qytetarëve.

Gjuha e urrejtjes është vepër e ndëshkueshme

Kodi Penal radhit disa krime të nxitura nga gjuha e urrejtjes, përfshirë ato të kryera nëpërmjet internetit. Ligji për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuele ndalon transmetimin e përmbajtjeve mediatike që inkurajojnë ose promovojnë diskriminimin, intolerancën ose urrejtjen. Ligji për mbrojtjen dhe parandalimin e diskriminimit ndalon nxitjen e diskriminimit dhe shqetësimin në baza diskriminuese.

Gjuha e urrejtjesGjykata Kushtetuese RMVGrafitMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Policia e Maqedonisë së VeriutReporting Media Diversity (RDN)ShkupiTensione etnike