Në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot në mesditë pritet të vazhdojë procesi gjyqësor për rastin “Lotaria Shtetërore”, në të cilin tetë persona akuzohen për keqpërdorime në ndërmarrjen shtetërore, në vlerë prej 9,7 milionë eurosh. Në seancën e sotme, në bankën e të akuzuarve pritet të ulet edhe i akuzuari i parë, ish-drejtori i Lotarisë, Përparim Bajrami, i cili pas gati dy vitesh në arrati u kthye në vend dhe vetë iu dorëzua organeve të ndjekjes. Bajrami, për të cilin ishte lëshuar fletarrestim ndërkombëtar, më 9 shtator u paraqit në pikën kufitare “Bllacë”, pas së cilës u arrestua dhe u dërgua në burgun “Shkup” në Shutkë, për të vuajtur masën e paraburgimit të caktuar më herët, transmeton Portalb.mk.
Përveç tij, në këtë rast akuzohen edhe ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe pesë ish-anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të ndërmarrjes – Skender Mehmet, Bojan Janev, Fatmir Ramadanski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdi.
Në seancën e mëparshme, në të cilën zyrtarisht filloi gjykimi, të gjithë të akuzuarit deklaruan se nuk ndihen fajtorë për veprën penale që u vihet në barrë, përveç Bajramit, i cili atëherë ende ishte në arrati, si dhe të akuzuarit Bashkim Avdi, i cili tha se nuk e kupton për çfarë akuzohet dhe kërkoi që aktakuza dhe provat t’i dorëzohen në gjuhën e tij amtare, shqipe.
Ndryshe, shqyrtimi kryesor duhej të vazhdonte më 11 dhe 16 shtator, por gjykata i anuloi këto dy seanca, për t’i lënë kohë të akuzuarit të parë, Përparim Bajramit, që të shqyrtojë aktakuzën dhe provat, për çka afati ligjor është tetë ditë.
Për më tepër, nga Prokuroria Themelore Publike Shkup më 9 shtator njoftuan se kundër Bajramit janë duke u zhvilluar edhe katër procedura të tjera për të njëjtën vepër, në të cilat po mblidhen prova dhe po kryhen ekspertiza.
Të gjithë të akuzuarit gjykohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit, lidhur me prokurimin e paligjshëm të terminaleve videolotarie për organizimin e lojërave elektronike të fatit.
Akuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ka të bëjë me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të akuzuarit kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre zyrtare, megjithëse e kanë ditur se SHA “Lotaria Shtetërore” nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie. Kjo e drejtë që në vitin 2013 ishte investuar si kontribut jo-monetar në vlerë prej 6,2 milionë eurosh në themelimin e kompanisë së përbashkët “Lotaria Shtetërore Videolotarie e Republikës së Maqedonisë – KASINOS AUSTRIA”, ku SHA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 përqind të aksioneve.
Ndryshe, gjatë hetimit të akuzuarit ngarkoheshin për veprën penale “përvetësim në shërbim”, për të cilën, sipas nenit 354 të Kodit Penal, parashihet dënim më i lartë, por me dorëzimin e propozim-akuzës, prokurorët nga PTHP Shkup e rikualifikuan veprën në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.
“Sa i përket arsyes se përse është ndryshuar kualifikimi – ai është ndryshuar sepse konsideruam se nuk kemi siguruar prova me të cilat do të arrinim ta dëshmonim veprën penale të përvetësimit në shërbim”, tha në një deklaratë për mediat prokurori Daniel Kocev, pas përfundimit të seancës më 7 shtator.
Risi në propozim-akuzë është se Prokuroria e ka saktësuar më tej atë, gjë që ka rezultuar nga ekspertiza dhe, sipas saj, në vend që të akuzohen për dëm në vlerë prej 507.623.173 denarësh ose 8,2 milionë eurosh, të akuzuarit tani ngarkohen për dëm prej rreth 9,7 milionë eurosh ose 596.125.511 denarësh.
Procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska, si gjyqtare e vetme, pasi lënda është ngritur me propozim-akuzë dhe jo me aktakuzë dhe zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.