Kompania e lidhur me konsullin e nderit të RMV-së në Kosovë, Valon Ademi, i bëri dhuratë një shtëpi ministres Balluku

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) sekuestroi një vilë në një kompleks luksoz turistik në bregdetin e Jonit, e cila i përket ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Sipas hetimit, ajo favorizoi një kompani pas së cilës qëndron konsulli i nderit i Maqedonisë në Gjilan të Kosovës, Valon Ademi, për ndërtimin e unazës rreth Tiranës. Në këmbim, kompania i ndërtoi një shtëpi me pamje nga deti. Në MPJ-në në Shkup mungojnë dokumentet për emërimin e tij, raporton  Laboratorit të Gazetarisë Hulumtuese (IRL), transmeton Portalb.mk.

Ish-ministrja shqiptare e Infrastrukturës dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila ishte në detyrë nga viti 2019 deri në vitin 2026 dhe ndaj së cilës po zhvillohet hetim për korrupsion, favorizoi konsorciumin “Alko-Impex General Construction” dhe “2T” në tenderin për ndërtimin e një pjese të unazës rreth Tiranës, me vlerë të parashikuar prej rreth 24 milionë eurosh.

Tenderi ishte lidhur në vitin 2021 me Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Në këmbim, siç njoftoi ditët e fundit Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK), Balluku kërkoi që kompania “Alko-Impex General Construction” nga Tirana t’i ndërtonte një shtëpi luksoze në bregdetin e Jonit, dhe kjo ndodhi.

Në pronësinë e kompanisë mëmë me të njëjtin emër nga Kosova, ortak është Valon Ademi, biznesmen kosovar dhe konsull nderi i Maqedonisë në Gjilan, person që është në fokus të opinionit publik shqiptar edhe për shkak të ndërtimit të aeroportit të ri pranë Vlorës.

Konkretisht, si shpërblim për Ballukun që ta manipulonte tenderin, kompania i ndërtoi një vilë familjare në kompleksin “Green Coast”, pranë destinacionit të njohur turistik shqiptar Dhërmi.

“E pandehura Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në këmbim të favorizimit të kompanisë ‘Alko Impex General Construction’ në procedurën e sipërpërmendur të prokurimit publik, ka kërkuar dhe marrë nga personi Arbër Abazi, përfitim të paligjshëm në formën e investimeve/punimeve ndërtimore në një objekt”, zbuluan prokurorët e SPAK-ut.

Arbër Abazi është administrator i kompanisë, ndërsa prona ka sipërfaqe prej 478 m² dhe vlerësohet në afër gjysmë milioni euro.

Për ta fshehur shtëpinë, Balluku përdori ish-futbollistin shqiptar Igli Tare, i cili ka qenë edhe drejtor sportiv te klubet italiane Lazio dhe Milan, përmes kontratave fiktive të pronësisë, në mënyrë që vila zyrtarisht të regjistrohej në emër të tij.

“Nga hetimi rezulton se e pandehura Belinda Balluku është pronarja faktike e pasurisë së paluajtshme ‘vilë familjare 2 F nr. 188/1, Bërthamë 27’ … për të cilën u konstatua se është pasuri e fshehur”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Kjo është vila e dytë e lidhur me Ballukun që SPAK-u e ka sekuestruar në kuadër të procesit ndaj saj, i cili përfshin disa gjetje për korrupsion në projekte të ndryshme publike. E para ndodhej në kompleksin “White Rock”, gjithashtu pranë fshatit Dhërmi, dhe sërish ishte e regjistruar në emër të futbollistit.

Ndërkohë, “Alko-Impex General Construction” është kompani e themeluar në Prishtinë në vitin 2004, pronar i së cilës është Imer Ademi, biznesmen kosovar dhe babai i konsullit tonë të nderit Valon Ademi, i cili në një nga dokumentet figuron si ortak.

IRL në korrik të këtij viti publikoi një hulumtim që lidhej me financimin e ndërtimit të aeroportit të ri pranë qytetit bregdetar shqiptar të Vlorës dhe rolin e Valon Ademit në këtë projekt. Ai ndodhet në një fazë të procedurave dhe hetimeve serioze gjyqësore, si dhe përpara prishjes së kontratës me shtetin shqiptar.

Në MPJ dosje bosh për emërimin e Ademit

Valon Ademi ishte emëruar konsull nderi i Maqedonisë me vendim të Qeverisë së Zoran Zaevit në dhjetor të vitit 2020, pa pasur ndonjë të kaluar në marrëdhëniet dypalëshe të Kosovës me Maqedoninë.

Vendimi për emërimin e Valon Ademit si Konsull Nderi (Gazeta Zyrtare e Maqedonisë)

Vendimin e kishte nënshkruar zëvendëskryeministri i atëhershëm Artan Grubi nga BDI-ja, ndërsa ministër i Punëve të Jashtme ishte bashkëpartiaku i tij Bujar Osmani.

Më herët, Ademi kishte qenë konsull nderi i Shqipërisë në të njëjtin qytet. Por Tirana ia ndërpreu mandatin pa shpjegim në korrik të vitit 2019, gjë që një pjesë e mediave kosovare dhe shqiptare që atëherë e lidhën me krime të pretenduara lidhur me tenderët në Shqipëri.

Ademi figuron edhe në evidencat policore në Kosovë. Disa muaj para se të bëhej konsull nderi i Maqedonisë, ai ishte raportuar në policinë kosovare nga sekretari i atëhershëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit të Kosovës, Betim Reçica, për shkak të kërcënimeve të drejtuara ndaj tij dhe familjes.

Më pas, në fund të janarit të këtij viti, ai u raportua në policinë kosovare pasi kishte sulmuar fizikisht drejtorin për investime kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli.

Pasi mësoi për këto informacione, IRL, në bazë të Ligjit për qasje të lirë në informacionet me karakter publik, kërkoi nga MPJ-ja në Shkup dokumentacionin për procesin e emërimit të Ademit. Dosja që morëm ishte pothuajse bosh.

Pas publikimit të hulumtimit për aeroportin, MPJ-ja në korrik të këtij viti na informoi se kishte nisur kontrolle të brendshme për rastin. Ata njoftuan se, nëse konstatohen parregullsi, siç kishte konstatuar IRL, Ademi do të shkarkohej. Emërimi i tij po shqyrtohet dhe së shpejti pritet të merret vendim.

Gjithashtu zbuluam se familja Ademi, në maj të vitit 2024, kishte regjistruar edhe në Maqedoni një kompani me të njëjtin emër, “ALKO-IMPEKS-General Konstrakshën”, me seli në fshatin Semenishte, në komunën e Sarajit. Veprimtaria e regjistruar e kompanisë është ndërtimi i rrugëve dhe autostradave. Sipas informacioneve aktualisht të disponueshme, deri më tani ajo nuk ka marrë pjesë në tenderë publikë në vend.

Ambasada e Kosovës në RMVAmbasada e Shqipërisë në RMVDiplomaciDiplomat(e)HulumtimIRLKosovaMinistria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ)ShqipëriaSPAK