Ndryshimet në Ligjin për lobim, Rrjeti kundër diskriminimit: Rrezik për pjesëmarrjen e OJQ-ve në politikat publike

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi kërkon që shoqatat dhe fondacionet të përjashtohen qartë nga zbatimi i Ligjit për lobim, kur veprojnë në kuadër të qëllimeve dhe aktiviteteve të tyre të përcaktuara me Ligjin për shoqata dhe fondacione. Nga Rrjeti thonë se e mbështesin nevojën që lobimi në Maqedoninë e Veriut të jetë transparent, i përgjegjshëm dhe i rregulluar qartë, por vlerësojnë se ndryshimet e propozuara në Ligjin për lobim mund të krijojnë paqartësi dhe kompleksitet shtesë juridik për sektorin civil, transmeton Portalb.mk.

Si veçanërisht problematike e cilësojnë futjen e përkufizimit të “interesit publik” si bazë për dallimin mes përfaqësimit dhe lobimit. Sipas tyre, përkufizimi i propozuar nuk i përfshin të gjitha temat dhe fushat në të cilat shoqatat dhe fondacionet kanë të drejtë dhe interes legjitim të veprojnë dhe të kërkojnë ndryshime.

“Çfarë do të ndodhë me një organizatë që përfaqëson një çështje e cila nuk mund të përfshihet qartë në përkufizimin ligjor të ‘interesit publik’: a do të konsiderohet përfaqësimi i saj si lobim dhe a do të duhet organizata të regjistrohet si lobiste?”, pyet Rrjeti.

Ata theksojnë se Ligji për shoqata dhe fondacione tashmë ua garanton organizatave të drejtën për të shprehur dhe promovuar qëndrimet dhe mendimet e tyre, për të iniciuar nisma, për të marrë pjesë në krijimin e opinionit publik dhe në hartimin e politikave.

Sipas Rrjetit, rregullimi paralel i aktiviteteve të njëjta ose të ngjashme përmes Ligjit për lobim mund të krijojë rrezik për interpretime të ndryshme dhe përplasje mes dy ligjeve.

“Një paqartësi e tillë nuk është vetëm çështje juridike-teknike. Ajo mund të ndikojë drejtpërdrejt në lirinë dhe gatishmërinë e organizatave qytetare për të marrë pjesë në proceset e krijimit të politikave publike”, thuhet në reagim.

Rrjeti vlerëson se organizatat mund të detyrohen për çdo nismë, takim apo aktivitet përfaqësues të vlerësojnë nëse veprojnë në përputhje me Ligjin për shoqata dhe fondacione apo nëse aktiviteti i tyre mund të cilësohet si lobim. Sipas tyre, kjo mund të krijojë pengesa administrative, pasiguri juridike dhe efekt dekurajues mbi pjesëmarrjen e organizatave joqeveritare në hartimin e politikave.

Si zgjidhje, Rrjeti propozon që në Ligjin për lobim të shtohet një dispozitë e veçantë, e cila qartëson se ligji nuk zbatohet ndaj shoqatave dhe fondacioneve të themeluara dhe të regjistruara në përputhje me Ligjin për shoqata dhe fondacione, kur ato veprojnë në kuadër të qëllimeve dhe aktiviteteve të tyre statutore.

Sipas propozimit të tyre, kjo duhet të përfshijë shprehjen dhe promovimin e qëndrimeve dhe mendimeve, inicimin e nismave, përfaqësimin e interesave dhe të drejtave, pjesëmarrjen në diskursin publik dhe konsultimet publike, si dhe pjesëmarrjen në proceset e krijimit, miratimit, ndryshimit, zbatimit dhe vlerësimit të politikave publike dhe rregulloreve.

Nga Rrjeti thonë se një dispozitë e tillë nuk do ta zvogëlonte transparencën e lobimit, por do të bënte dallimin mes lobimit profesional për një interes konkret dhe përfaqësimit qytetar e pjesëmarrjes në jetën publike.

“Ligji duhet të përcaktojë qartë se çfarë rregullon, ndërsa shoqatat dhe fondacionet duhet ta dinë paraprakisht se e drejta e tyre ligjore për të përfaqësuar ndryshime shoqërore nuk mund të trajtohet si lobim i paregjistruar”, thuhet në reagimin e Rrjetit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

DiskriminimOJQ Civil