Shoqëria civile mezi monitoron reformat nga mostransparenca, megjithatë Sali kërkon që ato të mos jenë vetëm vëzhguese, por bashkëkrijuese

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në konferencën me partnerët socialë dhe organizatat e shoqërisë civile nga Maqedonia e Veriut, e organizuar nga Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) dhe Komiteti i tij për Ndjekjen e Ballkanit Perëndimor, e mbajtur në Europe House në Shkup. Në fjalën e tij, ministri Sali theksoi se integrimi evropian nuk është vetëm proces qeveritar, por projekt shoqëror që kërkon përfshirje aktive të shoqërisë civile, sindikatave, organizatave të punëdhënësve dhe komunitetit të biznesit, transmeton Portalb.mk.

“Shoqëria civile e organizuar nuk duhet të jetë vëzhguese, por bashkëkrijuese e reformave. Besueshmëria e zgjerimit varet nga reforma reale, të matshme dhe gjithëpërfshirëse”, theksoi Sali.

Ai nënvizoi se dialogu efektiv social është shtyllë e pjekurisë demokratike dhe parakusht për stabilitet ekonomik dhe integrim evropian. Njëkohësisht, konfirmoi përkushtimin e Qeverisë për mbrojtjen e hapësirës qytetare, pluralizmit mediatik dhe luftën kundër dezinformimit.

Ministri theksoi se Agjenda e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor ofron mundësi për lidhjen e reformave me përfitime konkrete për qytetarët, por suksesi i saj kërkon pronësi dhe partneritet të përbashkët në të gjitha nivelet.

Konferenca trajtoi çështje që lidhen me rolin e shoqërisë civile në negociatat e anëtarësimit, gjendjen e dialogut social, si dhe lirinë e shprehjes dhe luftën kundër dezinformimit.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj rrugës evropiane, reformave dhe dialogut konstruktiv me të gjithë aktorët shoqërorë.

Derisa ministri kërkon që shoqëria civile të jetë bashkëkrijuese e reformave, një shkrim i Portalb.mk, konstatoi se Ministria e Çështjeve Evropiane nuk jep pasqyrë të qartë se çfarë nuk është bërë dhe cilat janë vështirësitë dhe sa kohë do t’i marrë vendit t’i kapërcejë, lidhur me Agjendën e Reformave.

Ministria për Çështje Evropiane vlerësoi atëkohë se përfshirja e sektorit civil mundëson ndjekje të përbashkët, analizë dhe promovimin e proceseve reformuese, me çka përforcohet transparenca, sigurohet gjithëpërfshirje më e gjerë dhe inkurajohet roli aktiv i organizatave të shoqërisë civile në krijimin dhe zbatimin e reformave. Mirëpo, sektori civil nuk mendon, i cili përballet me vështirësi në monitorimin e reformave.

Ministri kërkon që shoqëria civile të jetë bashkëkrijuese e reformave dhe jo vetëm vëzhguese e tyre, megjithatë, një shkrim i Portalb.mk nga viti i kaluar konstatoi se në praktikë organizatat e shoqërisë civile përballen me vështirësi edhe në monitorimin e reformave, pasi institucionet shpesh nuk ofrojnë pasqyrë të qartë për atë që nuk është realizuar, sfidat ekzistuese dhe afatet për tejkalimin e tyre. Në një situatë të tillë, sipas vlerësimeve të sektorit civil, bëhet edhe më e vështirë që ai të luajë rol real si vëzhgues, e jo më bashkëkrijues i reformave, e jo vetëm si  i kufizuar i tyre.

Agjenda ReformueseBashkimi Evropian (BE)Bekim SaliEurointegrime Negociata RMV-BEOrganizata Joqeveritare (OJQ)