Kuvendi i Maqedonisë së Veriut shënoi përmbushje prej 76,49% të treguesve të hapjes, duke e ruajtur vendin e dytë ndër parlamentet e rajonit, tregon matja më e fundit e Indeksit Rajonal të Hapjes. Rezultati paraqet një përmirësim të lehtë krahasuar me ciklin e mëparshëm, kur Kuvendi kishte përmbushje prej 76,04%, dhe e konfirmon trendin pozitiv të vazhdueshëm në katër matjet e fundit, transmeton Portalb.mk.
Sipas Indeksit Rajonal të Hapjes, Kuvendi i Malit të Zi është i pari me rezultat prej 82,26%, ndërsa Kuvendi i Maqedonisë së Veriut është i dyti me 76,49%. Pasojnë Kuvendi Popullor i Serbisë me 59,42% dhe Kuvendi Parlamentar i Bosnjës dhe Hercegovinës me një mesatare prej 58,49%.
Pavarësisht nivelit të lartë të hapjes, analiza tregon se sfida më e madhe nuk qëndron vetëm në ekzistimin e rregullave formale, por në zbatimin e tyre konsekuent dhe në vendosjen e mekanizmave të qëndrueshëm për informimin transparent dhe në kohë të publikut.
Më shumë se gjysma e ligjeve janë miratuar me procedurë të shkurtuar
Një nga sfidat kryesore mbetet mënyra se si miratohen ligjet. Në vitin 2025, Kuvendi miratoi 220 ligje, nga të cilat 121, përkatësisht 55%, u miratuan me procedurë të shkurtuar. Edhe pse kjo paraqet një ulje krahasuar me vitet e mëparshme, procedura e shkurtuar vazhdon të jetë mënyra dominuese e miratimit të ligjeve.
Analiza tregon se një pjesë e konsiderueshme e ligjeve të miratuara me procedurë të shkurtuar kanë qenë të lidhura me harmonizime teknike dhe organizative me Ligjin për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore. Megjithatë, fakti që më shumë se gjysma e ligjeve janë miratuar me procedurë të shkurtuar tregon nevojën për përdorim më të madh të procedurës së rregullt legjislative, e cila siguron më shumë hapësirë për debat parlamentar, konsultime publike dhe pjesëmarrje të komunitetit profesional.
Transparenca është pikë e fortë, efikasiteti pika më e dobët
Kuvendi shënon 62,19% në fushën e transparencës, ndërsa 63,94% në fushën e qasshmërisë. Në fushën e integritetit, përmbushja është 57,63%, ndërsa rezultati më i ulët është shënuar në fushën e efikasitetit, me 37,78%.
Rezultate të mira vërehen në publikimin e rendeve të ditës, materialeve legjislative, procesverbaleve, shënimeve stenografike dhe rezultateve të votimit, si dhe në disponueshmërinë e transmetimeve të drejtpërdrejta dhe arkivit të seancave plenare. Kuvendi po ashtu zhvillon mjete digjitale, duke përfshirë edhe portalin për të dhëna të hapura, sistemin për regjistrimin online të vizitave, turin virtual, regjistrin e organizatave të shoqërisë civile dhe asistentin me inteligjencë artificiale “Pyet”. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e dokumenteve ende publikohen ekskluzivisht në formatin PDF, gjë që e kufizon analizën e mëtejshme dhe ripërdorimin e tyre. Nevojitet përdorim më i gjerë i formateve të hapura dhe të lexueshme nga makinat për të dhënat.
Nevojitet përfshirje më sistematike e publikut
Gjatë vitit 2025 u organizuan tetë debate publike, ndërsa Karvani Parlamentar vizitoi 10 qytete, me ç’rast në aktivitete morën pjesë 54 deputetë dhe u përfshinë drejtpërdrejt 2.376 qytetarë. Këto praktika përbëjnë shembuj pozitivë të afrimit të Kuvendit me qytetarët.
Megjithatë, konsultimet publike ende në masë të madhe varen nga iniciativa e komisioneve të veçanta, në vend që të përfaqësojnë një praktikë sistemike për të gjitha ligjet me interes më të gjerë publik. Nevojitet publikim sistematik i komenteve të pranuara dhe i informacioneve për mënyrën se si ato kanë ndikuar në zgjidhjet përfundimtare ligjore.
Mbikëqyrja parlamentare funksionon, por nuk shfrytëzohet plotësisht
Në vitin 2025 u parashtruan tetë interpelanca për bartës të funksioneve publike, u mbajtën dy debate mbikëqyrëse dhe u formua një komision anketues. Gjetjet tregojnë se mekanizmat e kontrollit janë funksionalë, por zbatimi i tyre mund të jetë më intensiv për shfrytëzimin e plotë të kompetencave të Kuvendit.
“Hapja e parlamenteve nuk mund të matet vetëm përmes numrit të dokumenteve të publikuara. Ajo nënkupton që qytetarët të dinë në kohë se çfarë propozohet, të kenë mundësi të marrin pjesë në proces dhe të mund të ndjekin se si janë marrë parasysh qëndrimet e tyre. Prandaj, hapi i ardhshëm për Kuvendin duhet të jetë shndërrimi i praktikave të mira në mekanizma të qëndrueshëm dhe sistemorë“, thuhet në analizë.
Analiza „Vlerësimi i qeverisjes së mirë të pushtetit legjislativ në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon përmes Indeksit të Hapjes“ është përgatitur në kuadër të projektit „Përdorimi i Mediave të Reja për Promovimin e Transparencës së Qeverisjes“, i financuar nga Fondi Kombëtar për Demokraci dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis.