Ministria e Shëndetësisë dënoi ashpër incidentin para poliklinikës “Jane Sandanski” në Shkup, gjatë të cilit janë sulmuar punonjës shëndetësorë derisa po kryenin detyrat e tyre profesionale, transmeton Portalb.mk.
“Çdo formë e dhunës, kërcënimeve apo pengimit të punonjësve shëndetësorë në kryerjen e detyrave të tyre të punës është e papranueshme dhe duhet të sanksionohet në mënyrë përkatëse”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministria theksoi se sulmi ndaj një punonjësi shëndetësor ose bashkëpunëtori shëndetësor përbën vepër penale.
“Në përputhje me nenin 304-g të Ligjit për Mbrojtjen Shëndetësore, për sulm ose kërcënim serioz ndaj një punonjësi shëndetësor apo bashkëpunëtori shëndetësor gjatë ushtrimit të veprimtarisë shëndetësore parashihet gjobë ose dënim me burg, ndërsa varësisht nga rrethanat dhe pasojat e sulmit, edhe dënime më të ashpra”, thanë nga Ministria.
Nga institucioni thanë se punonjësit shëndetësorë çdo ditë janë në vijën e parë të kujdesit për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
“Dhuna nuk ka vend në institucionet shëndetësore. Respektimi dhe mbrojtja e punonjësve shëndetësorë duhet të jenë prioritet i përbashkët”, thonë nga Ministria.