Shkupi do të jetë nikoqir i Kampionatit Evropian të Debatit në vitin 2026

Forumi Arsimor Rinor (FAR) ka njoftuar se do të jetë nikoqir i Kampionatit Evropian të Debatit për nxënës të shkollave të mesme, i cili do të mbahet në Shkup, në shkurt të vitit 2026. Kjo ngjarje është një mirënjohje e përpjekjeve dhe përkushtimit afatgjatë të debatuesve, trajnuesve dhe koordinatorëve që janë pjesë e programit të debatit të FAR, thonë ata, transmeton Portalb.mk.

“Para 20 vitesh, në vitin 2005, Maqedonia ishte nikoqire edhe e Kampionatit Botëror të Debatit, i cili u mbajt në Strugë dhe ishte një mundësi për të krijuar miqësi të reja dhe shkëmbim idesh që frymëzuan brezat e ardhshëm. Që atëherë deri më sot, programi i debatit të FAR ka qenë vazhdimisht në rritje dhe progres, nga përforcimi i klubeve lokale deri te arritja e suksesit ndërkombëtar. Gjithashtu, FAR ka organizuar edhe tre kampionate ndërkombëtare të debatit”, thuhet në njoftimin e Forumit Arsimor Rinor.

Ata shtojnë se përgatitjet për këtë ngjarje të madhe tashmë janë duke u zhvilluar dhe synimi është organizimi i një kampionati që do të vendosë standarde të reja, do të mbahet mend gjatë dhe do të kontribuojë në një etablim edhe më të madh ndërkombëtar të komunitetit tonë debatues.

“Përveç kësaj, synimi ynë është të frymëzojmë debatuesit e rinj dhe të promovojmë debatin si mjet për të menduarit kritik, shprehjen argumentuese dhe ndërtimin e ndryshimeve pozitive në shoqëri. Programi i Debatit të FAR ofron një program falas gjatë gjithë vitit për nxënësit e shkollave të mesme, me leksione javore në Klubet e Debatit, të udhëhequra nga pedagogë të trajnuar bazuar në një kurrikulë të standardizuar. Nxënësit e shkollave të mesme mësojnë mbi bazat e debatit, argumentimit, të menduarit kritik, punës në grup dhe të folurit publik përmes Formatit të Debatit në Shkollën e Mesme”, thotë FAR.

Çdo vit mbahen turne ku ekipet dhe folësit më të mirë kanë mundësinë të marrin pjesë në garat ndërkombëtare. Programi përfshin gjithashtu një debat universitar, me theks në formatet studentore dhe Debatin Parlamentar Britanik. Qëllimi është inkurajimi i kulturës së dialogut, analizës kritike të çështjeve sociale dhe zhvillimit të aftësive oratorike tek të rinjtë.

Aktivizëm - AktivistCTRL Z – CTRLZForumi Rinor Arsimor (FRA) (MOF)Meta.mkNxënës të shkollave të mesmeShkupi