Pas pothuajse gjashtë muajsh nga paralajmërimi ende nuk ka gjoba prej 250 eurosh për prindërit fëmijët e të cilëve do të kryejnë dhunë në shkollë ose për prindërit që do të refuzojnë të bashkëpunojnë me shkollat dhe institucionet kompetente, ashtu siç propozoi ministrja e arsimit Vesna Janevska pas rasteve të shpeshta të dhunës mes nxënësve, transmeton Portalb.mk nga Kolegium.
Këtë masë Janevska e paralajmëroi kah mesi i muajit maj me qëllim që të krijohet mjedis më i sigurt shkollor, pas më shumë incidenteve që ndodhën nëpër shkolla – mes të cilave edhe incidenti në shkollën fillore ’25 Maji’ në Hasanbeg, ku një nxënës 15-vjeçar u godit me thikë nga bashkëmoshatari i tij, ish-nxënës në atë shkollë.
Që kjo masë të fillojë të funksionojë duhet të bëhen ndryshime në Ligjin për Arsim Fillor – të cilat nuk janë bërë as pas gjysmë viti nga paralajmërimi për ndryshime në këtë ligj.
“Propozim-ndryshimi i ligjit është në procedurë kuvendore, ndërsa miratimi varet nga dinamika e punës së Kuvendit”, u përgjigjën nga Ministria e Arsimit.
Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) gjatë kësaj kohe, nga maji deri në tetor, ka pasur 55 raste të sjelljes së dhunshme në shkolla ose në afërsi të shkollave, zakonisht sulm fizik dhe përleshje. Për këtë MPB kundër 22 autorëve ka parashtruar 12 kallëzime penale dhe një njoftim deri te Prokuroria Publike. Shtatë janë për dhunë, tre janë për lëndim të rëndë trupor dhe nga dy për vepra penale “lëndim trupor” dhe “dhunë ndaj fëmijës”.
Janë parashtruar edhe tetë kërkesa për ngritjen e procedurës për kundravajtje kundër 23 autorëve, zakonisht për “sulm fizik” dhe dy njoftime deri te Qendra për Punë Sociale.
Ku ka ngecur procesi?
Më 17 qershor një grup deputetësh të VMRO-DPMNE-së në Kuvend dorëzuan Propozim – Ligj për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Arsimin Fillor, me procedurë të shkurtuar. Propozuese e autorizuar është Emilija Angellova, ndërsa propozuese janë deputetet Aleksandra Nikollovska, Dijana Ilievska, Karolina Naskovska, Katerina Dimitrovska dhe Rashela Mizrahi.
Një javë më pas, më 25 qershor, komisioni amë për arsimin e ka miratuar propozimin. Është miratuar edhe nga komisioni juridiko-legjislativ i Kuvendit.
Këtë verë edhe Qeveria ka dhënë mendim pozitiv.
Pastaj ndryshimet u vendosën në seancë plenare të Kuvendit kur mbaroi debati i përgjithshëm, por seanca u ndërpre dhe votimi u shty. Vazhdimi i seancës nuk është caktuar ende.
Meqenëse teksti nuk është miratuar dhe nuk është publikuar në “Gazetën Zyrtare”, këto dënime konkrete ende nuk janë në fuqi.
Propozuesja Angellova konfirmoi se tani për tani nuk ka njoftim për seancë në të cilën do të vihen në rend dite këto ndryshime, se edhe ajo si punëtore arsimore është e vetëdijshme për madhësinë e problemit dhe dëshiron që ndryshimet të miratohen më shpejt.
Çfarë parashihet me ndryshimet?
Ndryshimet e propozuara në ligj parashikojnë gjobë prej 250 eurosh me kundërvlerë në denarë për prindërit e nxënësve që sillen dhunshëm dhe që nuk paraqiten kur shkolla i thërret ato për t’ua vënë në dukje problemin.
Shkollat nuk kanë mekanizëm për t’i detyruar prindërit t’i përgjigjen thirrjes kur një mësues, shërbim profesional ose drejtor i thërret ata në shkollë.
“Sipas këtij ligji prindi, përkatësisht kujdestari i nxënësit – autor i dhunës ndaj një nxënësi tjetër është i detyruar, pas ftesës me shkrim nga shkolla ose institucioni kompetent të paraqitet menjëherë dhe të marrë pjesë në këshillime dhe masa për tejkalimin e shkaqeve të dhunës”, thuhet në propozim.
Krahas kësaj është paraparë edhe detyrim për njoftimin e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit në rastet kur nxënësit i është shqiptuar masë pedagogjike, si dhe konstatimi i përgjegjësisë kundravajtëse në rast të mosbashkëpunimit ose mosrespektimit të detyrimeve ligjore nga ana e prindit ose kujdestarit’, thuhet në arsyetimin e propozim-ligjit.
Qëllimi është të ndikohet edhe te prindërit dhe të përmirësohet bashkëpunimi ndërmjet shkollës, institucioneve kompetente dhe prindit, sidomos në drejtim të forcimit të rolit të prindit si faktor që ka rol të rëndësishëm në edukimin e fëmijës së tij me qëllim që të parandalohet dhe të reduktohet dhuna mes nxënësve.
“Praktika tregoi se shpesh mungon ose është i pamjaftueshëm bashkëpunimi ndërmjet shkollës dhe prindit/kujdestarit, sidomos kur kemi raste kur nxënësi është autor i dhunës ndaj një nxënësi tjetër… Praktika tregon mungesë të bashkëpunimit të prindërve dhe mospranim të masave të propozuara nga shkolla dhe institucionet e tjera kompetente (Qendra për Punë Sociale dhe Ministria e Punëve të Brendshme) të cilat propozohen me qëllim të tejkalimit të gjendjes së krijuar me dhunën e kryer dhe për mospërsëritjen e saj”, thuhet në arsyetimin pse propozohet ndryshimi i këtij ligji.
Masa e parë për në shtëpi edukativo-përmirësuese pas një kohe të gjatë
Më 11 nëntor Gjykata Themelore Penale Shkup shqiptoi masën dërgim në shtëpi edukativo-përmirësuese për katër vajza nga shkolla fillore të cilat keqtrajtuan shoqen e tyre të klasës në komunën Gjorçe Petrov të Shkupit.
Kjo është masa më e rreptë e cila nuk u shqiptua as edhe një herë në vitin 2025 dhe në vitin 2024.
Bëhet fjalë për rast nga muaji prill i këtij viti kur tre të mitura të moshës 14-vjeçare dhe një e moshës 17-vjeçare keqtrajtuan një nxënëse të klasës së gjashtë duke e sulmuar atë fizikisht, duke shuar cigare në trupin e saj, duke e poshtëruar dhe duke e detyruar të hajë jashtëqitje qeni në parkun lokal. Kjo ka ndodhur në dy incidente të veçanta, me ç’rast keqtrajtimin e kanë regjistruar me telefon celular, ndërsa videon e regjistruar e kanë shpërndarë.
Në buletinet policore ka shpesh raste të dhunës mes të miturve. Vetëm brenda një dite, dje, u zbardhën tre incidente. Në njërin rast dy të mitura kanë sulmuar një vajzë në rrugë në Kavadar. Njëra e ka mbajtur vajzën, ndërsa tjetra e ka djegur me cigare.
Në rastin e dytë, nëna në denoncimin e bërë ka shkruar se djali i saj është sulmuar nga më shumë të mitur në tualet në shkollë në lagjen Radishan të Shkupit.
Ndërkaq, një banore dyzet e pesë vjeçare e fshatit Pagarushë të Shkupit, ka denoncuar se vajza e saj e mitur është sulmuar fizikisht te Bit Pazari nga disa të mitur. Sulmi ka ndodhur rreth orës 13.30, me ç’rast një i mitur e ka regjistruar ngjarjen me telefon celular, ndërsa videoja më pas është publikuar në rrjetet sociale.
Mbikëqyrje e përforcuar nga prindi ose QPS, vërejtje ose dërgim në shtëpi përmirësuese janë masat që u qëndrojnë në dispozicion gjykatave sipas Ligjit për Drejtësnëi për Fëmijët. Nga 37 procedura me vendim të formës së prerë në vitin 2025, sanksioni më i shpeshtë ka qenë mbikëqyrje e përforcuar nga Qendra për Punë Sociale, thregojnë të dhënat nga Gjykata Penale.
Shifrat nga MPB tregojnë se dhuna mes nxënësve është alarmante. Sipas statistikës policore nga viti 2021 deri në vitin 2025 është rritur për katër herë numri i rasteve të regjistruara të sjelljes së dhunshme mes nxënësve, më së shumti në shkollat fillore.
Edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës në vitin 2023 hapi adresë elektronike për raportimin e dhunës mes moshatarëve, pasi në Serbinë fqinje një nxënës shtiu me armë dhe vrau shokë klase dhe rojen në shkollën “Ribnikar” në Beograd.