Shkollat e Tetovës në krizë: Shifra alarmante të përdorimit të narkotikëve mes nxënësve

Përdorimi dhe shitja e lëndëve narkotike nga nxënësit në shkollat e Tetovës ka shpërthyer në një problem serioz që po ngre alarmin në qytet. Statistikat nga institucionet përkatëse janë shqetësuese. Ekspertët po analizojnë arsyet që nxisin këtë sjellje devijante të të rinjve dhe ofrojnë rekomandime për parandalimin e saj, shkruan Portalb.mk.

Që ky problem është evident nëpër shkollat e Tetovës, tregon edhe anketa e bërë nga Këshilli Komunal për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve në Tetovë. Aty drejtorët e shkollave dhe personeli profesional si një ndër problemet kanë paraqitur përdorimin dhe shitjen e lëndëve narkotike nga nxënësit.

Lidhur me këtë problematikë është e njoftuar edhe Komuna e Tetovës, kryetari i komunës Bilall Kasami së fundmi deklaroi se shqyrtohen mundësitë që të vendosen detektor të tymit nëpër tualetet e shkollave.

Policia në aksion, shifra të frikshme

Vitin e kaluar (2023) në zonën e Stacionit Policor Tetovë janë privuar nga liria 29 të mitur, ndërsa gjatë kontrollit të kryer ndaj tyre janë gjetur sende që burojnë nga vepra penale ,,trafikim i paligjshëm me drogë”.

Ndërsa nga fillimi i vitit 2024 deri më 30 shtator janë privuar nga liria 6 të mitur, ku gjatë kontrollit janë gjetur mjete që burojnë nga veprat në fushën e trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike.

Te të miturit gjatë kontrollit janë gjetur qese najloni me lëndë të gjelbër bimore dhe cigare (xhoint) të punuar me dorë, të cilat janë konfiskuar dhe dërguar për ekspertizë.

“Sektori i Punëve të Brendshëm Tetovë gjatë vitit 2023 në gjykatën kompetente ka dorëzuar gjithsej 21 kërkesa për inicimin e procedurës kundërvajtëse ndaj 21 autorëve – të mitur për veprat “lejimi i përdorimit të narkotikëve” të parapara dhe të dënueshme sipas nenit 20 të Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike dhe 2 kallëzime penale kundër 4 autorëve janë dorëzuar në Prokurorinë Publike të Tetovës për kryerjen e 2 veprave penale “prodhimi dhe tregtimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, të parashikuara dhe të dënueshme sipas nenit 215 të Kodit Penal”, informojnë nga Policia e Tetovës.

Po ashtu Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë gjatë nëntë muajve të vitit 2024 në gjykatën kompetente të Tetovës ka dorëzuar gjithsej 9 kërkesa për inicim të procedurës kundërvajtëse ndaj 9 personave – të mitur, për veprat ,,shijim gjatë përdorimit të lëndëve narkotike” të parashikuara dhe të dënueshme nga neni 20 të Ligjit për veprat kundër rendit dhe qetësisë publike dhe 1 kallëzim penal në Prokurorinë Publike Tetovë kundër 1 kryesit për veprën penale “prodhim i paautorizuar dhe shpërndarje të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve” të parashikuar dhe të dënueshëm nga nenit 215 të Kodit Penal.

Policia – Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Gjykata e Tetovës me aktgjykime

Në Gjykatën Themelore të Tetovës lidhur me veprën e “Dhënies për kënaqësi të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prokursorë, në vitin 2023 ka një aktgjykim dhe tre lëndë të cilat ende nuk kanë përfunduar, ndërsa në vitin 2024 ka një aktgjykim dhe tetë lëndë të cilat ende nuk kanë përfunduar.

“Përderisa me bazë “prodhim i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope” në vitin 2023 ka dy aktvendime dhe në vitin 2024 ka katër lëndë të cilat nuk kanë përfunduar”, informuan nga Gjykata e Tetovës për Portalb.mk.

Gjykata Themelore Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore Publike tha se nuk grumbullojnë evidencë për këtë lëndë për të miturit.

“Konsumimi i narkotikëve nxitet dhe nga filmat dhe muzika”

Sociologja Ardita Abduli Reka thekson se konsumimi i narkotikëve buron nga disa probleme. Siç thotë ajo qasja sociologjike priret të shpjegojë konsumimin e lëndëve narkotike në lidhje me normat dhe modelet e konsumimit në mjedise të caktuara si dhe pasojat që rezultojnë nga kjo dukuri.

“Në këtë fokus abuzimi me substanca narkotike përfshin një grumbull problemesh edhe atë: marrëdhëniet ndërpersonale me rrethin, bullizmi nga bashkëmoshatarët, situata konfliktuoze në familje, mungesë të mirëqenies ekonomike etj”, tha Abduli Reka.

Ardita Abduli – sociologe. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ajo thekson se faktorë që konsiderohen si nxitës të abuzimit me substanca janë edhe frymëzimet nga estradat filmike dhe muzikore ku shumë të rinj storjet e aktorëve dhe yjeve të muzikës mundohen t’i kthejnë në jetën reale duke lajthitur jetën e tyre personale me duhan, alkool, muzike deri në përdorimin e substancave me mendësinë e tyre se kështu ndjehen të rritur dhe të pranuar nga rrethi shoqëror i bashkëmoshatarëve.

“Konsumimi i lëndëve narkotike sot është shndërruar në një problem të madh, sidomos për familjet dhe shkollat të cilat bartin edhe përgjegjësinë më të madhe të mbikëqyrjes së vazhdueshme të të rinjve që lehtë mund të bien pre e abuzimit nga narkodilerët të cilët lëvizin lirshëm në oborret e shkollës dhe lokalet ku frekuentojnë të rinjtë. Andaj kujdesi i prindërve dhe rritja e sigurisë nëpër shkolla janë preventiva më adekuate që mund ta parandalojë këtë dukuri, në të kundërtën problemi mund të rrit përmasat e tij”, theksoi Abduli Reka.

“Nuk mjaftojnë vetëm këshillat, duhen metoda dhe strategji për të përballuar realitetin”

Psikologja Edlira Destani për Portalb.mk thotë se adoleshentëve ju duhet të përballen shpesh, e në disa raste në vazhdimësi, me problematika emocionale të vështira e të dhimbshme, zgjidhjen e të cilave e shohin edhe te përdorimi i drogave.

“Mund të nisi si përdorim i përkohshëm, por meqenëse rrugët e komunikimit mes zonave të trurit janë ende duke u zhvilluar, mundësia e varësisë është më e shpejtë dhe shumë më e madhe se e një personi më të rritur”, tha Destani.

Ajo shton se si shoqëri e të rriturve, po ofrojmë përditshmëri aksioze dhe deprimuese tek adoleshentët, kjo është pasqyra që po na komunikojnë.

Edlira Destani. Foto: Ildir Luma/Portalb.mk

“Ata nuk ndihen të lumtur, me më pak vetëbesim, me vetëvlerësim në rënie, ndaj për të ndryshuar këtë situatë, ata janë të gatshëm të provojnë zgjidhje edhe përmes drogave. Familja, shkolla, shoqëria, po synojnë të bëjnë ndryshim pozitiv të situatës por nuk po duken ndryshime rrënjësore”, shprehet Destani.

Psikologja theksoi se nuk mjaftojnë këshillat e drejta që të mos përdorin drogë sepse është dëmtuese e shëndetit fizik dhe mendor, është dëmtuese e jetës së tyre familjare, sociale dhe akademike.

“Për të hequr këto substanca duhet të jenë gati metoda dhe strategji për të përballuar realitetin e tyre të ri, që do të jetë pa substanca, por e zëvendësuar me diçka që do të jetë përfituese, ndërtuese dhe përparuese për jetën e tyre”, përfundoi Destani.

Ditëve të fundit në opinion filloi të qarkullojë informacion i rremë se në shkollat e Tetovës qarkullon lloji i drogës në formë të çamçakëzit, ky mesazh fillimisht ishte shpërndarë në Shqipëri dhe rezultoi se bëhet fjalë për një vitaminë E.

Artikuj të gjatëDelikuencaDrogë - lëndë narkotikeGjykata Themelore TetovëKomuna e TetovësNxënës të shkollave fillore - filloristëNxënës të shkollave të mesmeProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMVSPB TetovëTë rinj - Rini - RiniaTetova