I rremë është mesazhi se në Tetovë shpërndahet çamçakëzi që përmban drogë, mesazhi u shpërnda fillimisht në Shqipëri

Informacioni se në shkollat e Tetovës qarkullon lloji i drogës në formë të çamçakëzit është i rremë, mesazhi fillimisht është shpërndarë në Shqipëri dhe rezultoi se bëhet fjalë për vitaminë E, shkruan Portalb.mk.

Nëpër grupe të ndryshme të prindërve në rrjete sociale në Tetovë dhe rrethinë qarkullon mesazhi se nëpër shkolla qarkullon një lloj droge në formë të çamçakëzit që jep gjendje gjumi me sytë hapur.

Ky mesazh ka nxitur panik dhe reagime te prindërit.

Portalb.mk ka biseduar me drejtorë të shkollave, Sektorin e Arsimit në Komunën e Tetovës si dhe Policinë e Tetovës. Të gjithë njëzëri thanë se nuk kanë evidentuar ndonjë rast të tillë.

Mesazhi dhe fotoja që shpërndahen në rrjete sociale për drogën në formë çamçakëzi

Ky mesazh fillimisht u shpërnda të premten (25 tetor 2024) në Shqipëri nga një mësuese në një shkollë nëntë vjeçare në Shqipëri, ndërsa më pas u përhap panikë.

Pas këtyre informacioneve, Policia e Shtetit të Shqipërisë filloi hetimet ndërsa dje (27 tetor 2024) informoi se në një shkollë në Yzberisht është sekuestruar një tabletë në ngjyrë jeshile dhe nga analizat përkatëse në Institutin e Policisë Shkencore, në Sektorin e Ekzaminimeve Kimike (Drogave dhe Lëndëve Psikotrope), është arritur në përfundimin që nuk ka prani të ndonjë lënde psikotrope dhe rezulton të ketë në përbërje vitaminë E.

Dezinformim - Dezinformatë - Lajm i rrejshëmDrogë - lëndë narkotike