Shkëndija e Haraçinës në fundjavë ka mbajtur mbledhje urgjente, duke paralajmëruar masa konkrete prej nesër, në lidhje me arbitrin dhe Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM), transmeton Portalb.mk.
“Kryesia e Shkëndijës mbajti mbledhje urgjente pas situatës së krijuar gjatë ditës së sotme, si pasojë e ofendimeve nga ana e arbitrit dhe Federatës. Në këtë mbledhje, Kryesia shprehu mbështetje të plotë për hapat e mëtejshëm që Kryesia e ngushtë synon të ndërmarrë”, raportoi KF Shkëndija Haraçinë.
Ata paralajmëruan që nga fillimi i javës do të veprojnë, duke vlerësuar se si ekip i durojnë padrejtësitë, por “Haraçina nuk i toleron ofendimet, as edhe për një çast!”, për çka kanë deklaruar “Shihemi të hënën! Dhe besoni, do të shihemi!”.
Ata kanë publikuar një video ku shihet kontakti fizik ndërmjet dy futbollistëve.
“Nëse e ke mbiemrin Omeragiq, me sa duket mund të sillesh edhe kështu në fushën e futbollit dhe të kalosh pa u ndëshkuar, madje edhe pa u akorduar faull”,, raportoi Federata.
Ata përkujojnë se në fund të ndeshjes Vardari – Shkëndija, “kryetari i Federatës na priste në dalje për t’u përballur me drejtuesit tanë, gjoja sepse dikush ia kishte ofenduar djalin”.
“Është veçanërisht shqetësuese që vetë Federata, e cila thirret në respektimin e dinjitetit dhe vlerave sportive, përdor shprehje si “të pacivilizuar”, „të pahijshëm“ dhe „të pafuqishëm në aspektin sportiv“ për të përshkruar përfaqësuesit e një klubi anëtar të saj”, deklaruan nga Shkëndija e Haraçinës, në lidhje me komunikatën e FFM-së.
Ndryshe, problemi ka ndodhur në lidhje me ndeshjen ndërmjet Shkëndijës dhe Strugës, ku raportohet që gjyqtari Vllatko Ilioski e ka ofenduar kapitenin e Shkëndijës, Besir Demiri, duke e quajtur “Мајмун неписмен“ (Majmun analfabet).