Shtetet e Bashkuara duan ta ndryshojnë mënyrën se si furnizohet me energji Ballkani Perëndimor, duke bërë një rrjet marrëveshjesh për importin e gazit të lëngshëm (LNG), raporton Radio Evropa e Lirë.
Qëllimi është të ulet varësia e rajonit nga Rusia dhe të forcohet korridori energjetik nga jugu drejt Evropës Qendrore.
Për këtë, janë planifikuar projekte në disa vende të rajonit – nga Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, deri në Kosovë dhe në Serbi.
Këto projekte përfshijnë gazsjellës të rinj, terminale për gazin e lëngshëm dhe termocentrale me gaz, dhe mbështeten politikisht dhe financiarisht nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Disa nga këto projekte janë tashmë në fazë ndërtimi ose në proces kontraktimi, ndërsa të tjerat janë ende në fazën e planifikimit.
Në përgjithësi, sistemi energjetik rajonal është duke u orientuar gradualisht drejt gazit natyror nga SHBA-ja, Azerbajxhani dhe Mesdheu.
Jonathan Stern, profesor në Institutin Oxford për Studime Energjetike, vlerëson se Evropa Juglindore tashmë ka zhvilluar rrugë alternative të furnizimit.
“Ekzistojnë terminale të LNG-së në Greqi dhe Kroaci, dhe Korridori Jugor i Gazit nga Azerbajxhani, së bashku me fushën rumune të gazit Neptun Deep në Detin e Zi, shfrytëzimi i së cilës pritet të fillojë vitin e ardhshëm dhe rezervat e së cilës vlerësohen në 100 miliardë metra kub”, thotë Stern për Radion Evropa e Lirë.
Maqedonia e Veriut – hallkë kyç e Korridorit Jugor
Shkupi, aktualisht, është duke ndërtuar infrastrukturë të re të gazit me mbështetjen e Uashingtonit dhe Brukselit, me synimin që të shkëputet nga varësia shumëvjeçare nga gazi rus dhe të pozicionohet si një qendër e re energjetike rajonale.
Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe kandidate për BE, prandaj diversifikimi i furnizimit me energji është bërë edhe çështje gjeopolitike.
Termocentrali-kogjenerues TE-TO Shkup, që furnizon kryeqytetin me ngrohje dhe prodhon energji elektrike, varet nga gazi rus dhe është nën kontrollin e grupit rus Sintez.