Vepra “Koka e një Gruaje” (1963) e piktorit të njohur Pablo Picasso u ekspozua për dy javë në Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Shkup, ku interesimi i vizitorëve i tejkaloi pritshmëritë e institucionit. Piktura, të cilën Picasso ia dhuroi Shkupit pas tërmetit katastrofik të vitit 1963, nuk ishte ekspozuar për një periudhë të gjatë për shkak të mungesës së kushteve të përshtatshme dhe kërkesave të veçanta për sigurinë dhe ruajtjen e saj, shkruan Portalb.mk.
E realizuar në vitin 1963, kur Picasso ishte tashmë një nga figurat qendrore të artit modern botëror, vepra zë një vend të veçantë në koleksionin e muzeut. Ajo i përket kubizmit, lëvizjes artistike në të cilën Picasso ishte një nga përfaqësuesit kryesorë.
Drejtori i Muzeut të Arteve Bashkëkohore, Avni Qaili, tha për Portalb.mk se interesimi i publikut për ta parë pikturën ishte i madh dhe se numri i vizitorëve i tejkaloi pritshmëritë e institucionit. Sipas tij, ekspozita tërhoqi vizitorë edhe nga rajoni, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë.
“Ekspozimi i veprës kërkon kushte të veçanta për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj, si dhe masa sigurie për të parandaluar vjedhjen. Këto kërkesa kanë ndikuar që piktura të mos ekspozohet për periudha të gjata”, u shpreh Qaili.
Një element i veçantë i ekspozitës ishte edhe qasja gjithëpërfshirëse e muzeut. Përmes një kopjeje të përshtatur për prekje dhe një paraqitjeje në alfabetin e Braillit, institucioni u mundësoi edhe personave të verbër ta përjetonin veprën.
Ekspozita u organizua në bashkëpunim me Ambasadën e Spanjës në Shkup, duke rikthyer në vëmendjen e publikut një nga veprat më të njohura të koleksionit të muzeut dhe rëndësinë e saj artistike e historike.
Historia e pikturës lidhet edhe me një ngjarje të pazakontë. Në vjeshtën e vitit 1971, “Koka e një Gruaje” u vodh nga muzeu, ndërsa zhdukja e saj bëri jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Në kërkimet për veprën u përfshi edhe Interpoli, ndërsa piktura u gjet në Frankfurt në mars të vitit 1972 dhe u kthye në Shkup.