Pas Tiranës dhe Prishtinës, radhën e ka Shkupi. Nga 16 deri më 22 nëntor, kryeqyteti do të jetë mikpritës i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu”, i cili do të bashkojë në një skenë teatro nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Për shtatë ditë, publiku do të ketë mundësi të ndjekë një program që ndërthur dramaturgjinë shqiptare me veprat e autorëve botërorë, ndërsa artistët do të takohen për të shkëmbyer përvoja dhe për të diskutuar të ardhmen e teatrit shqiptar, shkruan Portalb.mk.
Përgatitjet tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare. Drejtori i Teatrit Shqiptar në Shkup, Ismet Ramadani, e cilëson organizimin e këtij edicioni si privilegj dhe përgjegjësi të madhe, duke theksuar se synimi është një festival që lë gjurmë te publiku dhe forcon bashkëpunimin mes skenave shqiptare.
“Këtë vit, Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit ‘Moisiu’ vjen në shtëpinë tonë, në Shkup, duke u shndërruar në kryeqendrën e artit skenik shqiptar. Është një privilegj i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e madhe që ky edicion të mbahet këtu, duke bashkuar në një skenë të vetme teatrot më në zë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kemi kaluar një proces të gjatë dhe të kujdesshëm përzgjedhjeje, duke sjellë për publikun shfaqjet më të mira dhe më cilësore të sezoneve të fundit. Tani jemi futur në fazën finale të përgatitjeve, ajo më e ethshmja, por edhe më e bukur, ku çdo detaj po merr formë për të garantuar një organizim të shkëlqyer. Jemi të bindur se ky edicion do të lërë gjurmë të pashlyeshme dhe do të jetë një festë e vërtetë e artit dhe bashkëpunimit tonë kulturor”, deklaroi Ramadani për Portalb.mk.
Duke folur për përzgjedhjen e shfaqjeve dhe raportin mes veprave shqipe e atyre të autorëve botërorë, Ramadani thekson se është synuar një program me larmi artistike.
“Në fokusin tonë ka qenë gjithmonë një repertor i ekuilibruar. I kemi dhënë hapësirën e merituar dramaturgjisë shqiptare dhe kryeveprave klasike botërore, por jemi angazhuar edhe në realizimin e produksioneve të mëdha skenike”, tha ai.
Pjesë e festivalit do të jenë edhe takimet e diskutimet mes profesionistëve të teatrit, me synimin që bashkëpunimi të shtrihet përtej ditëve të shfaqjeve.
“Qëllimi ynë thelbësor në këtë festival është nxitja dhe forcimi i bashkëpunimit mes artistëve shqiptarë, si dhe krijimi i një ure të fortë njohjeje mes njerëzve të skenës dhe artit tonë. Përtej shfaqjeve, kemi parashikuar të organizojmë tryezë të rrumbullakët dhe diskutime të hapura, ku krijuesit, regjisorët, aktorët dhe kritikët e teatrit do të kenë hapësirën e duhur për të ndarë ide, përvojë dhe për të reflektuar mbi sfidat dhe të ardhmen e artit skenik”, u shpreh Ramadani.
Megjithatë, mbështetja financiare mbetet një nga çështjet që shoqërojnë përgatitjet. Ramadani thotë se Ministria e Kulturës e ka mbështetur festivalin, por jo në përmasat e pritshme, ndërsa shpreh besim për një vëmendje më të madhe nga drejtuesi shqiptar i këtij institucioni.
“Kemi pasur mbështetje nga Ministria e Kulturës, megjithëse jo në përmasat që do të dëshironim. Njëkohësisht, jemi në pritje të mbështetjes edhe nga pushteti qendror, institucionet e ndryshme dhe komuniteti i biznesit. Besojmë fort se do t’ia dalim mbanë për të organizuar një festival dinjitoz. Mbi të gjitha, synimi ynë kryesor mbetet i pandryshuar, t’i dhurojmë publikut tonë emocione të paharrueshme dhe ta kënaqim atë përmes larmisë”, theksoi ai.
Për shtatë ditë, “Moisiu” do ta vendosë Shkupin në qendër të takimit të skenave shqiptare. Për organizatorët, ambicia është që ky takim të sjellë, krahas shfaqjeve për publikun, edhe bashkëpunime që do të vazhdojnë pas mbylljes së festivalit.